Paul Pogba u pezullua me 4 vite për shkak të përdorimit të dopingut. “Jam i trishtuar, i tronditur dhe zemërthyer”, u shpreh francezi, i cili pretendon se është i pafajshëm. Mesfushori i Juventusit do të apelojë vendimin e Gjykatës Kombëtare të Antidopingut në CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), Lozanë. “Kurrë nuk kam marrë me vetëdije apo qëllimisht suplemente që shkelin rregullat antidoping. Si një sportist profesionist nuk do të bëja kurrë asgjë për të përmirësuar performancën time duke përdorur substanca të ndaluara”. Pavarësisht se nuk mund të luajë, 30-vjeçari ka marrë një ofertë të veçantë nga Rusia.
Broke Boys është një klub që bën pjesë në Media Football League, ligë ruse e krijuar në vitin 2022. Në MFL, ligë që nuk është e lidhur me Federatën Ruse të Futbollit, luajnë personazhe të famshëm si aktorë dhe influencer. Por Pogba ka refuzuar, siç thekson edhe drejtori sportiv i klubit. “Mund të duket si shaka, por ne e ftuam tek ekipi ynë. Deri më tani, Paul na ka refuzuar me mirësjellje. Ai është i dëshpëruar, do i duhet kohë të pranojë që nuk do të luajë dot për një kohë kaq të gjatë. Nuk është e lehtë ta pranosh këtë fakt kur je një nga futbollistët më të mirë në botë. Për momentin MFL është më liga më serioze, për nga statuti dhe niveli, në të cilën Pogba mund të luajë”, u shpreh Artjom Chatjaturjan.





