Manchester United është në prag të gjetjes së akordit për finalizimin e transferimit që do të jetë një rekord botëror, nëse Pogba do të largohet nga Juventusi për te Manchester United për shumën prej 125 milionë eurosh.
Ekskluzivisht “SunSport” zbulon faktin se tratativat mes klubit të Juventusit dhe menaxherit të Paul Pogba, Mino Raiola, pritet të finalizohen gjatë fundjavës. Paul Pogba parashikohet të hedhë firmën e tij mbi kontratën 5-vjeçare me Manchester United, menjëherë pasi të kthehet nga pushimet që po kalon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mesfushori 23-vjeçar do të nënshkruajë një marrëveshje 5-vjeçare, me një shpërblim që përllogaritet në 240 mijë euro në javë, ndërkohë që Juventusi do të përfitojë plot 125 milionë euro në këmbim të futbollistit. Mino Raiola i ka kaluar ditët e fundit në bisedime me shefin e Manchester United, në lidhje me termat personal të futbollistit të përfaqësueses franceze, për një transferim që do të eklipsojë kështu transferimin 100 milionësh që Real Madrid pagoi për Gareth Bale në vitin 2013.
Konkretisht, Pogba mund të udhëtojë drejt Manchester-it që ditën e martë, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore. Negociatat kanë qenë të komplikuara për faktin se Raiola ka një marrëveshje me Juventusin, sipas të cilës ai do të përvetësojë 25% të shumës së transferimit.





