Një person është arrestuar nga uniformat blu të Pogradecit, pasi denoncoi disa ditë më parë për vjedhje me dhunë të një sasie parash në banesë. Në pranga është vënë shtetasi A. J., 21 vjeç, banues në Rëmenj të Pogradecit, i cili 11 ditë më parë i ishte drejtuar Komisariatit të Policisë së Shtetit, në Pogradec, për të denoncuar grabitjen nga dy persona të maskuar, sipas tij, të 3 000 eurove. Por, pak ditë zgjati mashtrimi i tij dhe tashmë ai akuzohet për kallëzim të rremë.
Burimet zyrtare policore theksojnë se shtetasi A. J. ka bërë kallëzim të rremë në Komisariatin e Policisë së Shtetit në Pogradec, në lidhje me këtë ngjarje sepse, pas verifikimeve të kryera, rezulton se vetë ky shtetas ka vjedhur shumën prej 3 000 euro në banesën e tij, ku 1 000 euro i ka shpenzuar, ndërsa 2 000 euro iu gjetën e iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
21-vjeçari A. J., duke u vënë para fakteve dhe provave ligjore, ka pranuar që e ka inskenuar vetë gjithë ngjarjen e grabitjes.





