6 JANAR 2014 – Gjatë orëve të vona të së dielës është regjistruar një shpërthim në banesën e kreut të Partisë Demokratike në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 5 të qytetit, në një kohë kur në banesë ndodheshin të gjithë familjarët, por fatmirësisht nuk janë lënduar. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale.

Forcat e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje, ku sipas informacioneve të tyre një granatë ofensive ishte vendosur poshtë derës së jashtme të banesës private 3-katëshe të Lipos. Policia e Pogradecit po heton në disa pista, ku kyesorja është ajo për shkak të detyrës së Luan Lipos. Sipas policisë ka vështirësi në hetim pasi në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë.

Deri tani policia ka shoqëruar në komisariat 20 persona, të cilët po merren në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë Luan Lipo më herët ka ushtruar edhe detyrën e nënprefektit të Pogradecit.