Qyteti i Pogradecit është pushtuar ditën e sotme nga motoristët.

Rreth 600 motoristë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Gjermania, Austria, Zvicra dhe Greqia kanë zbarkuar sot në qytetin buzë liqenit për t’u bërë pjesë e “MotoFest Pogradec 2022”.

Shumë prej tyre kanë ngritur dhe kampingje rreth e qark qendrës së qytetit, ndërsa mbrëmjen e sotme do të bëhen pjesë e koncertit që do të mbahet në orën 20.30, e ku pritet të performojnë emra të mirënjohur të skenës sonë si “Tre Musketierët”, Renis Gjoka, Rubin Kaso, “04 Band”.

Ndërkohë në kuadër të këtij eventi, më herët gjatë ditës, kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli priti në një takim falenderimi drejtuesit dhe donatorët e shoqatës së kamionistëve dhe motorristëve nga Gjermania, të cilët mundësuan 10 kamionë me pajisje spitalore dhe shkollore për Pogradecin.