Nga Gjergj Thanasi*
Durrës 19 shkurt 2014 – George Friedman (Xhorxh Fridman) një nga specialistët më të famshëm në shkallë globale për problemet e sigurisë dhe gjeopolitikës bën një analizë shumë interesante të konfrontimit Obama (SHBA)- Putin (Rusi).Artikulli i plotë gjendet në këtë link: http://www.stratfor.com/weekly/new-dimensions-us-foreign-policy-toward-russia?utm_source=freelist-f&utm_medium=email&utm_campaign=20140211&utm_term=Gweekly.
Fridman-i thekson se, njëlloj si në një lojë pokeri, Putini, ndonëse kishte letra të dobëta në lojë, si mjeshtër me bekgraund shërbimesh sekrete, shfrytëzoi naivitetin e Obamës dhe stafit të tij dhe ia doli t’u hapte amerikanëve një telash jashtëzakonisht të madh me Sirinë dhe armët kimike të kasapit Asad. Amerikanët e kuptuan me vonesë kurthin tip KGB-je të Putinit dhe bënë përpjekje frenetike për të dalë nga kurthi. Kryeministri Rama pati rastin e artë t’ia zgjidhte nyjën e konopit rus Presidentit Obama. Fatkeqësisht, edhe dorën e pokerit në Tiranë e fituan zotërinjtë Valeri Ksendzov dhe Jevgenij (transkriptimi në anglisht: Eugeny) Sidorenko të ambasadës ruse, të ndihmuar bujarisht nga Nebojsha Maleviç-i i ambasadës serbe, ndërsa humbën, për gjynah të zotit, Kryeministri Rama, bashkë me Zhardinenë (Henry V. Jardine) e ambasadës amerikane. Rusët e fituan raundin e pokerit në Tiranë me fare pak shpenzime. Ndërsa amerikanët, në 20 e kusur vjet kanë investuar miliona dollarë për OJQ-rsat shqiptarë, rusët, duke investuar, si të thuash, “pesë lekë”, i nxorën në demonstratë kundër sarinës së Asadit, që do mbyste në gjumë vogëlushët shqiptarë, pikërisht, po këta OJQ-rsa, të majmur në vite me dollarët e Amerikës. Veprim ky i kopjuar nga arkivat e KGB-së, kur spiunët rusë nxitën gjithfarë ekologjistësh dhe majtistësh gjermanë të dilnin në demonstrata kundër dislokimit në Gjermaninë Federale të raketave bërthamore amerikane “Pershing II”, duke e ndihmuar Bashkimin e atëhershëm Sovjetik të ruante avantazhin në raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi.
Pa u zgjatur më shumë, citoj përsëri analizën e Fridmanit. Humbja e betejës për armët kimike siriane e zemëroi seriozisht Obamën dhe administratën e tij. Raundin e dytë të këtij pokeri midis të mëdhenjsh e hapi Obama, duke investuar pak para dhe shumë pak asete inteligjence (spiunë amerikanë dhe gjermanë si-ish boksieri aktualisht kryeopozitar) në Ukrainë. Demonstratat e proevropianistëve ukrainas të kombinuar me domosdoshmërinë e sjelljes prej djali të mirë gjatë Olimpiadës së Soçit, e vunë Putinin në telashe të mëdha. Një Ukrainë pro-evropiane-(amerikane) apo një Ukrainë e ndarë në lindje të Kievit për Putinin është njëlloj e rrezikshme sikur për Amerikën Meksika të tentonte të bëhej “Demokraci Popullore” gjatë luftës së ftohtë. Putini iu përgjigj sulmit amerikan në Ukrainë duke përdorur “kulaçin” e ndihmave, kredive, çmimeve të ulëta për furnizimet me gaz natyror, naftë dhe energji elektrike si edhe ryshfete për zyrtarë të lartë dhe afera fitimprurëse për oligarkët e rinj ukrainas; njëkohësisht edhe “kërbaçin” në formën e përdorimit të aseteve të inteligjencës dhe përqendrimit të trupave e armatimeve të ushtrisë ruse në kufijtë e Ukrainës.
Njëkohësisht Putini filloi t’i hapë një telash të ri administratës Obama në “fuçinë e barutit” me emrin Ballkan. Si me magji, ballkanasit na u zgjuan nga gjumi dhe na panë, që janë shumëfish më të varfër se evropianët e rinj polakë apo hungarezë. Na panë se u qeveriskan nga politikanë super-hajdutë etj. etj. Kështu shpërthyen trazirat e dhunshme anti-korrupsion e varfëri në Bosnjë e Mal të zi. Në këto dy raste BIA[1] serbe e ndihmoi bujarisht aleatin e saj tradicional FIS-in (ish-KGB) ruse, për t’u krijuar kokëçarje amerikanëve thellë në prapavijat e fronti, që shtrihet përgjatë lumenjve Dnjepër e Dnjestër në Ukrainën e largët.
Në Maqedoni po përdoren skenarët e vjetër të kohës së UDB-së dhe SDB-së. Po helmohen nxënës shqiptarë në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë njëlloj si në fund të viteve 80-të, kur KOS[2]-i i ushtrisë jugosllave, me ndihmën e specialistëve vrastarë të kazermës së Haxhixhit në Bosnjë, helmoi qindra nxënës kosovarë. Po goditen me shpërthime të telekomanduara fëmijë romësh të mjerë njëlloj si vrasjet e ashkalinjve në Kosovë në verën e vitit 1998 etj. etj. Siç duket, ish spiuni-Putin po kërkon t’u hapë amerikanëve një vatër të tretë zjarri në Ballkan.
Pikërisht ,në këtë duel të “luanit” amerikan me “hienën” ruse, ndërhyn dhe çakalli Berisha. Me kërcënime fejsbukse zotohet të shkundë sundimin e bijve mavi të komunistëve të kuq, pikërisht ish-komunisti i devotshëm Sali. Zotohet që në 20 shkurt do bëjë namin kundër stërnipërve të Enverit, ai që në njëzet shkurt 1991 shëtiste në Sheshin Skënderbej me “Fiat-Supermirafiori”-n e drejtorisë së punëve të brendshme Tiranë. Rusët dhe shegertët e tyre serbë po përpiqen me të njëjtat mjete të nëntorit të shkuar t’i japin një tjetër shuplakë SHBA-së në Tiranë. Çakalli Berishë duke nuhatur kërmëzimin e parakohshëm të administratës Rama po përpiqet ta trembë Ramën me trazira dhe pushtim Kryeministrie, me qëllim që ta detyrojë t’ia lërë rehat Xenin, Gitën dhe Lulushin, madje-madje, këta të tre, njëlloj si “Klan”-Sandri të mbarojnë edhe ndonjë punë fitimprurëse me ministrat e Ramës. Shkurt puna, hyzmeqari i Moskës dhe Beogradit po i kërkon Kryeministrit Rama me kërcënimin e vulgut të rrugës, që ky i fundit t’ia falë Salës paratë e vjedhura dhe gjakun e të pafajshmëve të vrarë me plumb në bulevard, në Roskovec, në Komunën e Tërthores etj. apo dhe të djegur me barut në Gërdec.
Metodat e përdorura janë të njëjtat. Po hidhen pak lekë në bidonvilet e Tiranës. Po hapen defterët e agjenturave të vjetra për t’i përdorur përsëri. Njëlloj si me armët kimike, e mjera e djathtë, me urdhër të Salës, është mbrehur nën zgjedhë për ta nxjerrë nga balta qerren ruse në Ballkan. Përsëri, Sala, dorë për dore me Lulushin, do të dalin për protestë në bulevard. Vetëm i ndjeri Olldashi do të mungojë, sepse rezulton i vrarë aksidentalisht në Qafë Kërrabë. Rusë dhe serbë, në radhët e së majtës, po u kërkojnë veglave të tyre haraçin e radhës. Po mprihen thikat për t’ia rrasur Ramës pas shpine si në nëntorin e vitit të kaluar. Njëlloj si në nëntor 2013 kryebashkiakë betonxhinj[3] e tenderxhinj[4] dhe parlamentarë të majtë[5] po bëhen gati t’i hidhen Kryeministrit në shpinë njëlloj si breshka e barsoletës, që i kërceu lepurit të ngecur në ferrë. Kujtoni pak sesi parlamentarë të majtë, që, me çibanë betoni e kishin përçudnuar Rivierën[6], u zgjuan nga gjumi dhe deklaruan plot patos se nuk ishin deputetë sirianë dhe “u qante xhani” për mjedisin e Shqipërisë.
Në 20 shkurt, përsëri, të tillë me nder-deputetë, me siguri, do të ngrenë kokë njëlloj si harabeli nën peshën e bajgës së lopës. Problemi nuk qëndron tek ta. Halli është se ka një mundësi jo të vogël, që raundin, dorën e pokerit, në Tiranë ta fitojë sërish ish-spiuni Putin. Përballë zareve të Rusisë e Serbisë, majtas e djathtas, gjendet një administratë ende plot gomarë Troje trashëguar nga koha e Salës. Gjendet një administratë e mbushur këto katër muaj plot me minifunde, kalamaqër e deviantë seksualë, ku burrat, që i tregojnë gjoksin rrezikut, janë më të rrallë se palmat në Sahara, siç thotë një proverb tuareg. Madje, madje edhe oficerë të lartë policie, të porsaemëruar në detyrë, që në të shkuarën u kanë vënë gjoksin plumbave të terroristëve Binladensa, sot po nxitojnë në supermerkatë për të blerë panolina!!!!
Në frontin e marrëdhënieve me publikun situata është idem si në rastin e armëve kimike. Heshtje, shkretëtirë, mediokritet e vetëkënaqësi mbytëse. Ata që merren me marrëdhëniet me publikun (PR- public relations) të Kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit përsëri kontrollohen rreptësisht deri në tredhje nga “Miti Tona”[7] i shekullit XXI. Përsëri nuk merret asnjë masë për t’iu kundërvënë propagandës gëbelsiane të Lulushit të Salës. Ndërsa doktor “Moriarty”[8] nga Vuçidoli i fryn zjarrit mediatik. PR-sat e qeverisë flenë gjumë! Sllavët me pasaporta diplomatike u çanë duke zgjuar nga gjumi bijtë dhe bijat e etërve spiunë bashkë me mëkatarët e rinj të pasvitit 1990. Shefi i stacionit dhe pensionistja e mjerë e marrëdhënieve me publikun të “Rilindja Ridge”[9] nuk po e nxjerrin qimen nga qulli, të sigurt se Rilindësit e Ramës do ta mundin me forcat e veta çakallin-xholin Berishë dhe diplomatët e Carit kumarxhi të Kremlinit. Fatkeqësisht, kam frikë se kjo punë do të bitiset si në barsoletën e ministrit komunist të komunales [10]: Mashallah (propaganda anemike e qeverisë), Inshallah (shpresa e Kryeministrit) dhe Meazallah (fitorja e Salës së sllavëve).
Premtimeve taze të Lulush kryebashkiakut dhënë ambasadorëve të huaj për protestë paqësore pa tym, zjarr e gjak, mund t’u zihet besë aq sa u zuri besë Arvizu-ja i ngratë premtimeve po të këtij Lulushi në rastin e armëve kimike. Lulushi është si plastelina: merr formën, që i jep ustai.
O zot, bëje zhgjëndërr!
O zot, për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, mos lejo, që njëlloj si me rastin e armëve kimike, të mos i hapë Shqipëria e vogël telashe jo të vogla administratës Obama!
* Ekspert për probleme të sigurisë nga Durrësi. Opinioni, në versionin e plotë, i pashkurtuar, është dërguar nga autori.
Sqarime të “Dyrrah”-ut (meqenëse shkrimi është i koduar, i destinuar për një të përditshme afër së majtës):
[1] BIA (inicialet serbisht për: “Bezbednosno-informativna agencija”- Agjencia e sigurim-informimit), shërbimi sekret i Republikës së Serbisë, i themeluar në vitin 2002.
[2] KOS (inicialet serbokroatisht për “Kontraobav(j)eštajna služba”), shërbimi i kundërzbulimit i ish-ushtrisë popullore jugosllave, në vitet 1946-1991. Në vitin 1992, administrata e sigurimit ka vazhduar punën në Serbi dhe Mal të Zi.
[3] Është fjala për kryetarin e bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.
[4] Është fjala për kryetarin e bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini.
[5] Është fjala për deputetin e PS-së Ben Blushi.
[6] Është fjala për deputetin e PS-së, biznesmenin dhe botuesin Koço Kokëdhima.
[7] Ish-shef i sektorit të shtypit në komitetin qendror të PPSH-së; këtu bëhet fjalë për Endri Fugën, drejtori i Komunikimit në qeverinë Rama.
[8] Profesor Xhejms Moriarti (James Moriarty) personazh negativ në romanet me detektivë të shkrimtarit të famshëm anglez Sër Artur Konan Dojl (Arthur Conan Doyle). Armik i Sherlok Holmit (Sherlock Holmes), Moriarti-a është personifikim i së keqes, “Napoleon i krimit”.
[9] Kështu quhet blloku i banesave për diplomatët amerikanë në Tiranë, afër Varrezave të Dëshmorëve.
[10] Xhemal Tafaj, ministër i ekonomisë komunale në periudhën 20 shkurt 1987-9 korrik 1990





