Agjencitë imobiliare polake shprehin interes për pasuritë e paluajtshme në Durrës. Bukuria e relievit të thyer shqiptar, ku mund të shijosh edhe detin, edhe malin ka tërhequr vëmendjen e shtetasve polakë që duan të blejnë apartamente këtu. Kamera e “DurrësLajm” ishte sot në agjencinë imobiliare “Mei Smart”, ku patëm mundësi të takoheshim me agjentët nga Polonia. Piotr Lukashevski na zbuloi disa nga arsyet pse apartamentet në Durrës u duken një investim i rëndësishëm bashkëqytetarëve të tij.

Administratori i “Mei Smart”, Florian Tahiri është i kënaqur me vëmendjen e shtuar të agjencive imobiliare të huaja për Durrësin, pasi polakët nuk janë të vetmit të interesuar.

Në Durrës, në 30 vitet e fundit, është investuar shumë përsa i përket pasurive të paluajtshme, por cila është tipologjia e apartamenteve që preferojnë shtetasit polakë?

“Apartamentet që kërkojmë duhet të jenë estetikisht të paraqitshme, të kenë pamje të bukur, mundësisht nga deti. Tipologjia e apartamentit mund të jetë 1+1 apo 2+1. Nuk kërkojmë apartamente vetëm për 1-2 javë. Krahas apartamenteve të përfunduara, jemi të interesuar edhe për apartamente që janë ende në ndërtim, sepse klientët mund ta kompletojnë sipas dëshirës dhe më pas ta japin me qira përgjatë gjithë vitit. Ata e konsiderojnë këtë si investim në pasuri të paluajtshme”,– tha Lukashevski.

I goditur rëndë nga tërmeti i 2 viteve më parë, Durrësi i ka ende të hapura plagët nga fatkeqësia natyrore. Tahiri thotë se siguria e godinave mbetet kriter parësor për klientët e huaj që kërkojnë të blejnë pasuri të paluajtshme.

Afërsia e Polonisë me Ukrainën në luftë duket se nuk i tremb polakët për të investuar para në apartamente.

Prej disa muajsh, agjencitë imobiliare të huaja kanë shprehur interes të shtuar për Durrësin, qytet në të cilin qeveria Rama po realizon një sërë investimesh të rëndësishme.

M.B.