25 nëntor 2014 – Portugezi polemizon në distancë me mbrojtësin e Spanjës, në lidhje me deklaratën e tij për Kostën. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe të mos ishte Murinjo, pas një deklarate të tillë:
“Nuk e dija që Ramos ishte diplomuar në mjekësi”.
Një deklaratë provokuese dhe një deklaratë që polemizon me mbrojtësin e realit të Madridit dhe atë të kombëtares spanjolle në lidhje me mungesën e sulmuesit Diego Kosta. Ramos deklaroi disa ditë më parë që Kosta nuk ka qenë i dëmtuar dhe Murinjo e ka ndaluar që të jetë pjesë e kombëtares. Një deklaratë e tillë nuk është anashkaluar nga trajneri i Çelsit, që kohë më parë ka qenë edhe vetë trajner i mbrojtësit madrilen.
“Nuk mund të them shumë për atë deklaratë, veçse di me siguri që Ramos nuk është doktor, siç nuk jam as unë. Ai është një lojtar fantastik dhe kaq”, ka deklaruar Murinjo.
Një deklaratë polemizuese dhe që ka marrë vëmendjen e medieve britanike dhe më gjerë. Trajneri e ka vijuar deklaratën e tij dhe “alibinë” për të arsyetuar mungesën e Kostës në fushë për një kohë të gjatë.
“Unë kam mjekë në ekip dhe gjithashtu edhe mjekët e skuadrës së kombëtares spanjolle, kanë përcaktuar që Kosta të mos jetë plotësisht i gatshëm për të qenë në fushën de lojës dhe në këtë mënyrë ai nuk ka qenë”, është shprehur trajneri i Çelsit.
Murinjo e ka vijuar deklaratën e tij me shembullin e mesfushorit belg të Mançester Sitit.
“Vinsent Kompani ka luajtur për Sitin, ndërkohë që nuk ka luajtur me Belgjikën ndaj Uellsit. Sipas kësaj logjike, do të thotë që edhe ai ka qenë i dëmtuar?”, ka qenë përgjigja e trajnerit të Çelsit për të hedhur poshtë fjalën e Serxho Ramosit.
Një përgjigje, me anë të një pyetjeje retorike, për një çështje që vijon prej kohës në lidhje me brazilianin e natyralizuar dhe që ka zgjedhur të jetë pjesë e kombëtares spanjolle. Trajner ka treguar se ka një standard të dyfishtë në lidhje me lojtarë që janë pjesë e skuadrave kombëtare, për të luajtur dhe mos luajtur në ndeshje të caktuara.
“Mendoj që Kompani ka pasur një akord që ai të mos luante me kombëtaren dhe të luante në fundjavë ndaj Svanseas. Kompani është kapiten i Belgjikës dhe normalisht që mund të ketë një akord të tillë që ai të mos luante në një ndeshje të tillë, për të qenë plotësisht në formë, në një ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën në një ndeshje kampionati”, ka përfunduar deklaratën e tij trajneri i Çelsit.
Në lidhje me Shalken që ka kaluar disi “në plan të dytë”, është shprehur se është një ekip që e ka vënë disa herë në vështirësi Çelsin dhe se nuk do të jetë aspak e lehtë për të marrë pikë në “Geisen Kirshen”.
“Është një ndeshje shumë e vështirëm në të cilën duhet të kemi përqendrimin maksimal, për të marrë atë që duam. Është një stadium i flaktë në mbështetje të skuadrës së tyre dhe për në do të jetë disa herë më e vështirë”, ka deklaruar Murinjo.





