La Liga duhet të aplikojë sistemin Video Asistent Referee. Kjo është kërkesa e opinionit sportiv në Spanjë, pas një episodi të dyshimtë në ndeshjen Barcelona-Malaga, ku katalanasit kaluan në avantazh me një gol që u shoqërua nga shumë episode të debatuara. Teknologjia në Itali dhe Gjermani ka nisur të japë frytet e veta dhe ndoshta edhe me pak doza xhelozie, në Gadishulin Iberik po pendohen që nuk i kanë nisur procedurat për aplikimin e VAR kohë më parë.
Federata Spanjolle me siguri po e analizon atë moment të sulmuesit Deulofeu, që në rast se do të ishte analizuar me pamjet e përsëritura nga gjyqtari, me shumë mundësi nuk do të ishte akorduar gol. Goli i lojtarit katalanas lindi nga një krosim i mbrojtësit Digne, përtej linjës fundore.
Gjithsesi, askush nga arbitrat nuk e vuri re një gjë të tillë, aksioni vazhdoi dhe Malaga e pa veten në disavantazh. Lojtarët miq rrethuan menjëherë arbitrin e ndeshjes, duke protestuar gjatë, por rebelimi i tyre nuk shërbeu për asgjë, pasi në bazë të rregullores aktuale, gjyqtari kryesor nuk mund të anulojë një gol të dhënë.
Mediat dhe tifozët janë hedhur menjëherë në sulm, duke theksuar se herët a vonë, sistemi VAR duhet të bëhet pjesë e La Ligas, pasi gabime të tilla krijojnë polemika, që mund të dëmtojnë rëndë imazhin e futbolit spanjoll.





