Gjirokastër, 19 qershor 2014 – Gazeta “Panorama” ka realizuar një reportazh në Lazarat, per të sjellë prej fshatit rebel të Shqipërisë, jo vetëm “luftën” mes forcave të rendit dhe trafikantëve, por edhe vështirësitë në terren të rreth 800 efektivëve të Policisë, RENEA-s dhe FNSh-së, që janë vendosur në Gjirokastër prej ditësh.

Sipas “Panorama”, policët flenë me turne në hotele apo dyshekë portativë në komisariat, ndërsa kafen e mëngjesit e pinë duke komentuar për ndeshjet e kampionatit Botëror, shumë prej të cilave nuk kanë pasur mundësi t’i shohin.

Këto ditë është e vështirë të gjesh një dhomë hoteli në Gjirokastër. Një numër efektivësh të policisë që janë vendosur në këtë zonë për shkak të aksionit në Lazarat, janë akomoduar në hotele. Disa prej efektivëve të RENEA-s madje mësohet se janë vendosur në një hotel fare pranë zonës së Lazaratit.

Ndërkaq, një pjesë tjetër kanë fjetur në ambientet e përshtatura brenda Drejtorisë së Policisë. Një prej efektivëve aty shpjegon se kjo që po ndodh këto ditë në Drejtorinë e Policisë së qarkut nuk është parë asnjëherë më parë.

“E shikoni atë gruan me të bardha te porta e Drejtorisë së Policisë?”, na pyet polici. “Ajo është kuzhinierja e Spitalit të Gjirokastrës dhe prej tri netësh ka ardhur këtu te policia dhe ka gatuar mbi një mijë racione për vakt për punonjësit e policisë”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/