21gusht 2015 – Dy punonjës policie të Fierit u bëjnë zbor kolegëve të tyre, para se të arrestoheshin të dehur. Pasi kishin ngrënë e pirë në një lokal në Divjakë, ata qëlluan me armë zjarri në ajër, në mes të rrugës nacionale.

Dy punonjësit e policisë me gradën “Inspektor”, Edmond Sulaj, 43 vjeç, lindur dhe banues në Fier, dhe Amarildo Bala, 26 vjeç, lindur dhe banues në Fier, kanë pasur detyra si Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin Policisë Fier.

Sipas të dhënave, të dy këta punonjës policie, pasi kanë konsumuar një sasi të madhe alkooli në një nga lokalet e zonës turistike Divjakë, kanë qëlluar secili disa herë, me armët e tyre personale, në vend publik në rrugën automobilistike, brenda zonës turistike.

Më pas, ata janë larguar me mjetin tip BMVV X5 me targa AA 220 DE, në drejtim të qytetit të Fierit. Pas njoftimit të marrë, shërbimet e policisë, kanë ngritur postblloqet dhe kanë ndaluar mjetin në vendin e quajtur “Rreth rrotullimi i Plugut”.

Dy punonjësit e policisë fillimisht nuk i janë bindur urdhrit të shërbimeve të rendit për t’u shoqëruar, deri në ndërhyrjen e Shefit të Komisariatit të Policisë Lushnje.

Gjatë shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë Lushnje, dy të arrestuarit kanë përdorur një fjalor fyes dhe jashtë etikës ndaj punonjësve të policisë që kryen shoqërimin.

Përveç sa më sipër, Edmond Sulaj refuzoi të dorëzojë armën, e cila i është marrë forcërisht nga shërbimet e rendit. Gjithashtu, punonjësit e policisë Edmond Sulaj dhe Amarildo Bala refuzuan t’i nënshtroheshin testit të alkoolit, edhe pse u paralajmëruan se ky veprim përbën vepër penale, sipas kushteve të përcaktuara në nenin 236 të K.Penal.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/