31 tetor 2015 – Pesë njerëzit më të rëndësishëm në dërgesat e tonelatave heroinë nga Afganistani në Itali, duke përdorur Shqipërinë si transit, jo vetëm që momentalisht strehohen në Shqipëri, por mendohet se kanë paguar disa oficerë policie, që të mund t’ia hidhnin paq. Për dekonspiruesit e operacionit “Enigma” ka dyshime se janë me detyrë në postën policore të Shijakut dhe në strukturat qendrore të Policisë së Shtetit. Ndërkaq, dje numri i të arrestuarve në këtë aksion me bazë të gjerë, shkoi në 32 persona. Nga ana tjetër, është zbardhur skema e plotë sesi operonte kjo strukturë kriminale, e cila e blinte heroinën me pesë mijë dollarë kg në Afganistan dhe ua shiste në Itali afrikanoveriorëve me 40 mijë euro kilogramin.

Policët “spiunë”

Hetimi intensiv, me metoda speciale nga Kontrolli i Brendshëm në polici, ende nuk i ka nxjerrë “spiunët”, porse grupet e punës kanë vënë në sitë çdo kontakt, takim të drejtpërdrejtë a përmes të tretëve, të ndonjë efektivi policie që ka lidhje me familjen Hajri në Pjezës të Shijakut. Kësisoj, nuk përjashtohen këtu vizitat në kompleksin “Golden” të ndonjë oficeri, njohjet me pronarët apo gjithfarë lidhjeje qoftë edhe rastësore që mund të kenë “të paguarit nga krimi”. Burime të mirëbesuara nga Policia e Shtetit i thanë gazetës “Shqip” se ashtu siç ndodh rëndom në rastet e bosëve të drogës, ata lëvizin fijet policore fillimisht në vendlindjen apo vendbanimin e tyre dhe rrjeta zgjerohet derisa mbërrin në qendër. Kështu, posta policore e Shijakut mbetet shënjestra e parë e SHKB-së. Raporti, për të cilin burimet thanë se po përgatitet Kontroll i Brendshëm, përfshin aktivitetin e disa efektivëve në Shijak. Megjithatë, të tjera burime nga Policia e Durrësit shtuan për gazetën se atje askush nuk ka frikë nga hetimi dhe se çdo kontroll është i mirëpritur. Madje, nëse do të gjenden fajtorë në këtë polici, atëherë gjithsecili duhet të mbajë përgjegjësi ligjore. Por shkalla e korrupsionit natyrisht që nuk fillon dhe mbaron me inspektorët e Shijakut, pasi linja të tilla që përfshijnë aksin Afganistan-Iran-Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri-Itali, kërkojnë suport nga lart. Për këtë shkak, SHKB-ja ka përfshirë në hetim edhe elementë policie të strukturave qendrore në Tiranë. Nga ana e saj, Policia e Shtetit nuk ka pranuar ndonjëherë zyrtarisht që Shqipëria ishte vend transit i heroinës afgane dhe as që SHKB-ja ka nisur ndonjë hetim për dekonspirim aksioni.

“Pesë çunat” në Shqipëri

Altin Hajri, Emiljano Hajri, Fortuz Hajri, Shahin Cara dhe Astrit Muça mendohet se strehohen të pestë në Shqipëri. Fillimisht qarkulloi një informacion, sipas të cilit Emiljano Hajri rezultonte në sistemin TIMS sikur ishte larguar për në Itali më 28 shtator, por këtu ka shumë dyshime. Mendohet për një kthim të shpejtë të tij, të paregjistruar në sistem ose për një largim të stimuluar, pra të pandodhur realisht. Ishte koha kur banda boshatisi llogaritë bankare dhe përmes njerëzve në polici po organizonte planin e arratisjes dhe strehimit derisa “të qetësoheshin ujërat”. Tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar bllokimin e pasurisë 10 milionë euroshe të përbërë nga vila trekatëshe, kompleksi turistik “Golden”, karburant, servis etj. Ndërkaq, italianët kërkojnë të sekuestrohen edhe pesë makina luksoze, 70 mijë euro dhe 17 mijë franga zvicerane.

Rolet në bandë

“Bosi i bosëve”, 31-vjeçari Altin Hajri dhe Emiljani, i vëllai, përmes kodit alfanumerik që përdornin dikur nazistët ngritën katër celula në Itali. Heroina blihej me pesë mijë euro kg në Afganistan dhe e fshehur në makina kalonte fillimisht Iranin e Turqinë, për të mbërritur në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri, teksa u shitej afrikanoveriorëve në Itali me 40 mijë euro kg. Në pesë vite hetim, ekspertët italianë përcaktuan se laboratori i përpunimit të drogës ishte në Roverchiara të Veronës, ku u kapën 130 kg heroinë. Në Trento vepronin dy celula që merreshin me shpërndarjen dhe dorëzimin e mallit, ndërsa të tjera me dërgesat cash të parave në Shqipëri, përmes avionëve ose duke i fshehur në makina. Aty shefi ishte Balla Hajri, kushëri i dy vëllezërve. Ndërkaq, celula e Padovës përbëhej nga kushëriri i Altinit, Fortuzi dhe nga Astrit Muça. Në total grupit iu kap 1 ton drogë dhe fillimisht u arrestuan 16 persona, por nga të gjitha arrestimet e viteve të fundit rezulton se këtij grupi i janë kapur gjithsej 32 shqiptarë të akuzuar për trafik droge. /Shqip