Punonjësit e Policisë së Shtetit, gjatë muajve të fundit, po hasin në vështirësi përsa u përket çështjes së pagave. Në Sindikatën e Punonjësve të Policisë së Shtetit, mësohet se janë dërguar ankesa nga ana e policëve, të cilët janë shprehur se u mbahet një shumë e konsiderueshme parash nga paga e tyre mujore. Për gazetën “Shekulli”, ky fakt konfirmohet nga kreu i kësaj sindikate, Sadetin Fishta. Ai shprehet se punonjësve të policisë u mbahet padrejtësisht nga paga mujore, një shumë prej afro 9 mijë lekësh të reja. Më tej, ai shprehet se për këtë fakt nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa është vënë në zbatim që prej datës 1 prill 2016. Ndërkohë që, për çështjen e uniformave Sadetin Fishta shprehet se policët vazhdojnë të mbajnë ato të vjetrat dhe nuk i kanë marrë akoma uniformat e reja, për të cilat është dhënë edhe një vendim.
Zoti Fishta, ç’mund të na thoni për çështjen e pagave të punonjësve të Policisë së Shtetit?
Në lidhje me pagat e punonjësve të policisë, nuk ka patur asnjë rritje të tyre që prej vitit 2014, kohë kur është bërë rritja e fundit rreth 12 %. Që nga ajo kohë nuk ka pas deri më tani ndonjë rritje të pagave të policëve. Në vitin 2015 me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të Policisë së Shtetit, jo vetëm që nuk pati rritje, por janë ulur. Normalisht, me ligjin e ri që është bërë vitin e kaluar, më 1 mars të atij viti duhet të kishin dalë vendimet e qeverisë në mbështetje të ligjit, siç janë rreth 12 nene që kërkojnë detyrimisht nga qeveria që të ishin zbatuar duke nxjerrë akte nënligjore për t’i dhënë punonjësve të policëve atë çfarë meritojnë. Këto nene kanë të bëjnë për rritjen e pagës nëpërmjet pagesës për vjetërsinë në punë, nga 1 për qind deri në 25 për qind. Po kjo rritje page nuk po u jepet. Por edhe përfitime të tjera si, sigurimi i jetës që ka një faturë financiare që duhet të ishte realizuar që më 1 mars 2015 nuk u është mundësuar policëve në detyrë dhe atyre të rënë në detyrë. Ky vendim duhet të kishte dalë dhe të ishte vënë në zbatim, por deri më tani nuk është bërë asgjë për ta. Ndërkohë, duke qenë që nga 1 marsi i vitit 2015 që këto akte ende nuk kanë dalë, aktualisht policia jo vetëm që nuk ka rritje, por u janë ulur rrogat.
Sa punonjës policie janë prekur nga ulja në pagë?
Në ligjin e ri të Policisë së Shtetit është suprimuar një gradë në nivelin zbatues siç është grada e Kryeinspektorit, sepse në Polici nuk ka më gradë të tillë. Më 1 mars të vitit 2016, pa dalë vendimi i qeverisë në lidhje me njësimin e funksionit me gradë dhe pagën për gradë, u bëhet automatikisht në shkelje të ligjit një zbritje të pagës për shkak të suprimimit të gradës, 55 mijë lekë të vjetra. Kjo zbritje page bëhet për mbi 2 mijë punonjës policie, të cilët mbanin gradën e Kryeinspektorit, pa u ndryshuar funksioni. Pavarësisht se atyre u është hequr ajo gradë, ata përsëri të njëjtën detyrë bëjnë, por për shkak të suprimimit në gradë këta ia zbresin në pagë.
Pse është bërë ndryshimi i kësaj grade?
Kjo gradë u suprimua kur u bë ligji i ri i Policisë së Shtetit, ku thanë se nuk do të ketë më grada as kryeinspektor dhe as nëninspektorë. Por ata vazhdojnë ende, edhe sot e kësaj ditë të kryejnë këto funksione, por me gradën Inspektor. Por, ligji nuk thotë askund që ulet paga e punonjësve, por u suprimohet grada që ata mbajnë. Paga rregullohet me gradë vetëm me VKM, pra me vendim qeverie. Fakti që qeveria nuk ka nxjerrë akoma vendimin për rregullimin e funksionit me gradën, kjo nuk i jep të drejtë as Drejtorit të Policisë së Shtetit e as Ministrit që t’i ulë pagën policëve. Ulja në pagë e mbi 2000 punonjësve të policisë është një shkelje e ligjit.
Ulja e pagës është vetëm për gradën përkatëse?
Kjo ulje në pagë të tyre nuk është vetëm për gradë. Punonjësit e policisë që ikin me vjetërsi pune mbi shtatë vite, u zbritet në pagë edhe 7% e vjetërsisë, që e kanë përfituar që nga viti 2009. Nëse i bashkojmë bashkë këto zbritje në paga, shkon gjithsej një shumë prej 90 mijë lekë të vjetra. Këta punonjës policie nëse e marrim në aspektin e përgjithshëm, janë të pakënaqur për këtë punë, pasi nuk janë sqaruar. Ata ligjin e lexojnë por dinë edhe ta konstatojnë shkeljen, sepse për këtë e marrin rrogën. Të gjithë këta policë kanë bërë ankesat e tyre përsa i përket uljes në pagë duke pasur të njëjtin funksion, dhe ne si Sindikatë kemi ngritur një padi në Gjykatën Administrative. Në padinë e bërë ne kërkojmë pavlefshmërinë e urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm, për uljen në pagë të 2000 policëve për shkak të ndryshimit të gradës. Kjo është një shkelje e ligjit për aq kohë sa nuk ka dalë vendimi i qeverisë. Punonjësve të policisë u është mbajtur një shumë e konsiderueshme e pagës që prej datës 1 prill të këtij viti.
A janë pajisur policët me uniformat përkatëse?
Për uniformat e policëve ka dalë vendimi që më datë 1 mars të këtij viti, për uniformat e reja. Por ata vazhdojnë ende të mbajnë uniforma të vjetra. Uniformat për të cilat është bërë tenderi ende nuk janë dhënë. Bëjmë përjashtim për grupin e “Shqiponjave”, të cilat e kanë marrë uniformën, kurse pjesa tjetër e policisë është ende pa u pajisur. Policët për shkak se u vjetërohen uniformat, herë pas here janë të detyruar që t’i blejnë vetë ato. Ata punojnë nga 12 orë në ditë dhe uniforma konsumohet shumë shpejt. Ajo uniformë që ata mbajnë nuk është llogaritur që të mbahet e veshur për 12 orë, dhe afati i konsumit të saj shkurtohet. Një pjesë e mirë të punonjësve u ka dalë jashtë përdorimit uniforma. Jemi në pritje deri nga fundi i muajit shtator, që qeveria të nxjerrë aktet që padrejtësisht janë vënë tashmë në zbatim. Qeveria nxjerr vendimin për statusin e veçantë të rruajtjes së drejtorit të Përgjithshëm që është një person, ndërsa nuk nxjerr vendimet për sigurimin e 10 mijë punonjësve të policisë. Të dyja janë detyruese për ligjin, por ama edhe në aspektin e rëndësisë duhet të kishte dalë edhe për policët. Rriskun më të madh në detyrë nuk e ka drejtori, por e kanë policët të cilët përballen me vështirësi në rrugë dhe me krimin. Më parë duhet të kishin policët një kontratë sigurimi. Në ligj thuhet një fakt i tillë, por ama nuk vihet në zbatim. Punonjësit e policisë në këtë ditë sot janë ende pa sigurim jete, siç kanë qenë gjatë gjithë kësaj kohe, megjithëse ligji ia ka dhënë këtë favor.
/Shekulli





