11 gusht 2015 – Një ish-oficer i policisë belge, i ardhur në Shqipëri për të shmangur një dënim të mundshëm nga gjykatat e vendit të tij, ka mundur të inskenojë vdekjen e vet, pas bashkëpunimit me një mjek shqiptar. Sipas gazetës Nieuësblad.be, 52-vjeçari Guido V.L., i ndihmuar nga një mjek në Shqipëri ka flasifikuar një certifikatë vdekjeje, për të zhdukur gjurmët e veta.
Guido V.L., i cili ishte nën hetim për disa pastrim parash dhe aktivitet kriminal në Belgjikë, ia kishte dhënë certifikatën e vdekjes nënës së tij, e cila e ka dorëzuar atë në prokurorinë e vendit të saj, çka ka sjellë si rrjedhojë edhe pushimin e çështjes.
Skema e mashtrimit u zbulua kur ish-oficeri u rikthye në Belgjikë dhe u njoh nga një ish-koleg i tij në një lokal në qytetin Antwerpen. Pas arrestimit, Guido V.L. e ka pranuar inskenimin e vdekjes së tij me ndihmën e mjekut shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga media belge.
Ish-polici belg është dënuar nga gjykata me një vit burg dhe 500 euro gjobë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/