11 gusht 2015 – Një efektiv i Policisë së Korçës është vënë në pranga nga kolegët e tij, pasi kishte marrë peng për rreth një orë një person. Pengmarrjen, polici e ka realizuar me ndihmën e të vëllait, pasi këtij të fundit personi që u rrëmbye i kishte borxh 8 mijë lekë të rinj.
Pengmarrja
Më 9 gusht 2015, rreth orës 18:00 në afërsi të fshatit Radanec Korçë, shtetasi J.Q. ka qenë duke kryer disa punime në banesën e një shtetasi. Pranë tij janë afruar Eglantin Karafili dhe i vëllai polic Klement Karafili. Ky i fundit, duke u prezantuar kundrejt dokumentit si punonjës policie i ka kërkuar të shkojë me të duke e futur në një automjet privat tip furgon me ngjyrë të bardhë.
Sapo shtetasi J. Q. ka hipur në mjet, dy vëllezërit Karafili kanë filluar ta godasin me grushta dhe mjete të tjera të forta, ndërkohë që punonjësi i policisë ka përdorur edhe armën e shërbimit duke e kërcënuar të dëmtuarin me jetë. Më pas, ata e kanë transportuar në periferi të qytetit të Korçës ku kanë vazhduar ta dhunojnë e ta kërcënojnë.
Motivi: Borxhi prej 8 mijë lekësh
Pasi e kanë dhunuar për rreth një orë brenda automjetit të tyre, punonjësi i policisë Klement Karafili e ka çuar më pas të dëmtuarin J.Q. në Komisariatin e Policisë Korçë të lidhur me pranga, ku e ka paraqitur si person të shoqëruar me pretekstin e borxhit të pashlyer.
Por, ka qenë vetë i dëmtuari që ka bërë kallëzimin për gjithçka kishte ndodhur mes të treve. Nga hetimi më pas rezultoi se motivi i kësaj ngjarjeje ka qenë një shumë parash prej 80 mijë lekësh të vjetër që i dëmtuari kishte dy vjet pa ia dhënë.
Policia arrestoi dy vëllezërit Karafili të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/