Një situatë e pazakontë është filmuar këtë të enjte në Tiranë. Një autoambulancë me sinjalin SOS ndezur e bllokuar në semafor, dhe një delegacion i sigurisë së lartë të cilit për asnjë arsye nuk i duhet ndërprerë rruga me semaforë.
Në një pozitë të tillë të vështirë është gjendur efektivi i policisë rrugore, i cili nga njëra anë kishte urdhrin për të garantuar kalimin e sigurt të delegacionit sipas Protokollit të sigurisë, dhe nga ana tjetër sinjali i ambulancës e cila ose ka pasur të sëmurë ose ka qenë duke i shkuar në ndihmë ndonjë personi. Skena ka ndodhur në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” në një nga kryqëzimet me Unazën, përpara “Piramidës”.
Ambulanca qëndron në trafik në krahun ku semafori është i kuq, ndërsa delegacioni vjen nga bulevardi për tu kthyer në Unazë. Polici ka dhënë sinjal për të mbajtur të bllokuar kahun ku ndodhej ambulanca duke i dhënë disa sekonda më shumë semaforit të kuq derisa delegacioni të kalonte pa u cënuar apo rrezikuar nga ndonjë automjet. Kujtojmë se në Tiranë prej tre ditësh ndodhej një delegacion i rëndësisë së veçantë që shoqëronte kreun e Senatit të Kuvendit të Republikës Çeke, Milan Stech.
Eskorta shoqërohej edhe me motorë ceremonialë të Gardës së Republikës, çka tregon se kudo ku shkel itinerarin e lëvizjes eskorta e një delegacion i tillë, jepet urdhër për bllokime në distancë nga ana e efektivëve rrugorë, në mënyrë që delegacioni të mos ketë pengesë në semaforë, apo edhe më keq të ketë cënim sigurie nga ndonjë automjet. Neni 175, paragrafi 2 i ligjit nr 8378 date 22.07.1998, i ndryshuar, thotë: Drejtuesit e mjeteve të pajisura me sisteme shtesë zanore dhe pamore, gjatë përmbushjes së shërbimeve urgjente te institucionit, nuk janë të detyruar të zbatojnë detyrimet, ndalimet dhe kufizimet në lidhje me qarkullimin, sinjalizimin rrugor dhe normat e sjelljes në përgjithësi, me përjashtim të sinjalizimeve të policit të trafikut, por gjithmonë duke mos sjellë rrezik për vete dhe për të tjerët.
Një nga njerëzit që mund të rrezikohej ishte edhe kreu i Senatit të Kuvendit të Republikës Çeke, Milan Stech, lëvizja e të cilit duhet të garantohet sipas Protokollit të Sigurisë.
I vënë mes rrezikut të dy jetëve, polici ka pasur shumë pak kohë për të marrë një vendim, nëse do duhej që më parë të hapte trafikun në krahun ku ndodhej ambulanca, pa cënuar sigurinë e eskortës së delegacionit çek.
Një vendim aspak i lehtë për tu marrë në rrethana të tilla, mbi të gjitha kur po ambulanca po lihej në rrymën e trafikut të bllokuar.
Por sa i drejtë apo i gabuar është veprimi i policit në këto sekonda, po jua lëmë ta gjykoni duke parë videon. /tvklan





