Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali ku një oficer policie ka vrarë një 24-vjeçar nga Maroku. Autoritetet milaneze arrestuan oficerin e policisë Carmelo Citturino të hënën në mëngjes, me akuzën e vrasjes me dashje të 24-vjeçarit maroken Abdelrahim Mansouri, i cili u vra në një park në zonën e Milanos më 26 janar.

Mansouri ishte një trafikant droge dhe oficeri i policisë pretendoi se e qëlloi për vdekje për të shpëtuar veten, sepse marokeni po e kërcënonte me një pistoletë. Hetimi i prokurorit tregoi se 24-vjeçari nuk ishte i armatosur dhe se, pas vrasjes, Citurino dyshohet se i vendosi një armë plastike pranë trupit.

Sipas hetimeve, efektivi i policisë i kishte kërkuar atij 200 euro dhe 5 gramë kokainë çdo ditë, me qëllim që t’i ofronte mbrojtje dhe ta linte të bënte “punën” e tij i pashqetësuar.

Pas një konflikti që kishin pasur mes tyre, efektivi e ka qëlluar për vdekje. Sipas Rai-t, oficeri i policisë dyshohet se kishte marrë “nën mbrojtjen e tij” edhe dy trafikantë italianë droge, të cilët jetojnë në të njëjtin pallat me të.

Autoritetet po hetojnë gjithashtu kolegët e oficerit të policisë, të cilët fillimisht shkuan ta mbronin dhe më pas pranuan gjithashtu se jeta e tij nuk ishte në rrezik nga trafikanti maroken.