290 shezlongë dhe rreth 141 çadra janë hequr nga policia në vijën territorin e plazhit të Durrësit në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë” për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të paligjshme.

Nga burimet zyrtare mësohet se kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të Plepave dhe do të vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.

NJOFTIMI I POLICISË

Në kuadër të operacionit “Bregdeti ynë”, nis faza e dytë e operacionit për lirimin e hapsirave bregdetare  të zaptuara në mënyrë të kundraligjshme me  shezlongë e çadra.

Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim  të zaptimit  të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar  nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Komisariatit të Policisë Durrës dhe Stacioni i Policisë Plazh, Policia Bashkiake dhe struktura të mjedisit të Policisë Bashkiake, prej mëngjesit të sotëm ka nisur kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Durrës.

Kontrolli ka filluar nga Përroi Agait në drejtim të vendit të quajtur “Plepa” dhe kontrollet do vazhdojnë në të gjithë vijën bregdetare.

Si rezultat i kontrolleve deri në këto momente në 30 subjekte janë evidentuar 7 parcela pa leje ku janë hequr rreth 290 shezlongë dhe rreth 141 çadra.

Operacioni vijon pa probleme.