Policia e Tiranës ka zhvilluar një aksion në 30 qendra estetike në kryeqytet, për goditjen e rasteve të kontrabandimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të botoksit.
Si rezultat i operacionit “Botulinum toxin”, nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin”, te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar.
Për këtë paligjshmëri u arrestuan në flagrancë 3 shtetas, njëri prej tyre administrator i një subjekti privat që dyshohet se kontrabandon dhe magazinon produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizon me të, klinikat.
Ndërkaq, dy të tjerët janë administratore të 2 prej klinikave ku injektohej ky produkt.
Gjithashtu 5 administratorë janë proceduar penalisht, ndërsa 3 janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.
Materialet procedurale shtesë i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për hetime të mëtejshme.