Arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta. Policia zbuloiu se autor i dyshuar i vrasjes së Xhemal Metës është shtetasi i identifikuar si Isuf Hasa, 64-vjeç. Ngjarja ndodhi në fshatin Shëngjin i vogël në Qafë Mollë 2 ditë më parë.

Policia u njoftua për ngjarjen mëngjesin e datës 13 janar nga një komshi i viktimës, i cili e kishte gjetur të ndjerin të pajetë pranë disa gurëve në oborrin e banesës së tij. Fëmijët e të ndjerit jetojnë në Tiranë dhe në polici kanë deklaruar se familjari i tyre nuk ka pasur konflikte dhe nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm të kohëve të fundit.

Sipas informacionit të zbuluar zyrtarisht nga Policia e Shtetit, autori i dyshuar, Isuf Hasa ka shkuar në shtëpinë e Metës dhe të dy janë konfliktuar për motive të dobëta. Më tej policia tregon se 64-vjeçari Hasa e ka goditur Metën me çekiç në pjesën e prapme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen.

Sakaq, dyshohet se pasi e ka goditur viktimën, autori i ka marrë edhe paratë që Meta kishte në xhep dhe është larguar.

Njoftimi i policisë:

Elton Alushi, drejtor i Policisë së Tiranës: Përshëndetje. Jam sot këtu së bashku me zëvendëdrejtorin për Hetimin e Krimit Erion Ismaili dhe Zëvëndës Drejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike Idriz Daulle, Shefin e Sektorit për Krimet e Rënda Gilbert Hoxha, për të bërë prezent rezultatet e punës në kuadër të operacionit policor të koduar “dyshimi”, ku falë një pune profesionale dhe hetimore të bërë nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, u bë zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 13.01.2025 ku u gjet pa shenja jete 81-vjecari Xhemal Meta.

Më datë 13.01.2025, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, kanë marrë njoftim nga një shtetas se komshiu i tij shtetasi Xhemal Meta është konstatuar i pa jetë në oborrin e banesës së tij.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar menjeherë në vendin e ngjarjes dhe nga veprimet e para hetimore ka lindur dyshimi se ky shtetas mund të ishte vrarë me sende të forta.

Për hetimin dhe zbardhjen e rastit u krijua një grup i posacëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijoi punën intensivisht për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Grupi i posacëm hetimor i përbërë nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe Specialistët e Departamentit te Policisë Kriminale nën drejtimin profesional të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Pergjithshme Tiranë, kanë kryer një sërë veprimet profesionale hetimore nëpërmjet aplikimit të metodave speciale të hetimit.

Falë punës hetimore intensive, brenda 48 orësh është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar.

Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore ka rezultuar se më datë 13.01.2025, rreth ores 09:00, shtetasi Isuf Hasa, 64 vjec, ka shkuar në banesën e fqinjit të tij Xhemal Meta dhe për motive të dobëta e ka qëlluar atë me një mjet të fortë (çekiç) në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar vdekjen.
Nga veprimet hetimore dyshohet se autori i dyshuar Isuf Hasa, pasi e ka goditur viktimën, i ka marrë dhe një sasi vlerash monetare që ai mbante në xhep, dhe më pas është larguar.

Nga kontrollet e shumta të kryera në disa banesa të autorit dhe familjarëve të tij, janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 200.000 lekë të rinj.

Po nga kontrollet e ushtruara në banesën e shtetases L.H,(vajza e autorit të dyshuar) në fshatin Gjokaj, Vorë, Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendin e dyshuar (çekiç) më të cilin autori ka kryer vrasjen .

Në fazë operacionale janë përfshirë Specialistet e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.4, Komisariatit të Policisë nr.7, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë ndalimi i shtetasit Isuf Hasa për veprën penale “Vrasja me paramendim ”.