TIRANË, 25 mars 2013 – Policia ka prangosur sot babain e deputetit socialist, Sajmir Tahiri, i cili dyshohet se ka kryer kontrabandë ilaçesh.  Sipas policisë, Bashkim Tahiri, 62 vjeç fuste kontrabandë medikamente të ndryshme së bashku me persona të tjerë. 

Në një deklaratë për mediat, Policia e Tiranës zbardhi skemën e kontrabandës së medikamenteve, ku si pasojë u arrestuan në flagrancë, Bashkim Tahiraj, Dritan Gjiza dhe Nadire Taga. 

Zëdhënësja e policisë bëri me dije se në bashkëpunim me njëri-tjetrit personat e arrestuar i kalonin mallrat kontrabandë nga pika doganore e Durrësit, prej 1 viti. 3 shtetasit u arrestuan në flagrancë duke shkëmbyer medikamente me vlerë mbi 10 mijë euro, në rrugën “Todi Shkurti”. 

“Strukturat e krimit ekonomik e financiar të Tiranës pas nje periudhe tre mujore hetimi finalizuan operacionin me sekuestrim i një sasie medikamentesh, qe vinte nga Durrësi, duke iu shmangur detyrimeve doganore dhe tatimore”. Sot në orën 13:00 u arrestuan në flagrancë shtetasit, Dritan Gjiza, Bashkim Tahiri dhe Nadire Taga, përkatësisht 27, 62 dhe  63 vjeç.Pas një pune operative 3 mujore hetimi u mblodhën provat e mjaftueshme se shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim, kanë transportuar medikamente që siguroheshin nga vjehrra e Dritan Gjizës në Itali në mënyrë të paligjshme. Gjiza siguronte transportin në Durrës, e më pas ilaçet i tregtonin në farmacinë e Bashkim Tahirit në Tiranë”,- deklaroi zëdhënësja Alma Katragjini. 

Sipas saj, të tre personat u kapën duke shkëmbyer medikamente në rrugën “Todi Shkurti”. Policia bën të ditur se medikamentet e sekuestruara përdoreshin kryesisht për sëmundje kancerogjene dhe arrinin vlerën mbi 10 mijë euro.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/