Policia e Kosovës ka arrestuar një ditë më parë dy shtetas serb nën dyshimet për "spiunim" në pikën kufitare te Dheut i Bardhë. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Arrestimi është bërë gjatë kontrollit të një automjeti e tipit "Ford Galax", të cilin e drejtonte personi i dyshuar mashkull/serb (i lindur në vitin 1959) dhe së bashku me të, si pasagjer ndodhej edhe personi tjetër, po ashtu i dyshuar, mashkull/serb (i lindur ne vitin 1978)”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit Hoxha.
Ai më tej shpjegon se pas vlerësimit të informacioneve dhe dokumenteve të gjetura tek personat e dyshuar, është njoftuar prokurori i shtetit dhe “pas konsultimeve të nevojshme dy të dyshuarit janë arrestuar dhe ndaj tyre është inicuar rasti si “spiunazh” konform Kodit Penal të Republikës së Kosovës”. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuarit janë dërguar në paraburgim. Policia nuk ka dhënë më shumë detaje për rastin.





