PODGORICË– Policia malazeze ka arrestuar sot një të dyshuar me inicialet E.S., i cili kishte hyrë në oborrin e ndërtesës e Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë, nga ku kishte vjedhur flamurin shqiptar, njofton policia e Malit të Zi.

Sipas gazetës “Shekulli” lajmi konfirmohet edhe nga sekretarja e parë e ambasadës sonë në Podgoricë. "Po, është e vërtetë që është vjedhur flamuri. Nuk mund të jap shpjegime, pasi kronologjinë e ngjarjes e kemi dërguar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe pritet që kjo e fundit të dalë me një njoftim për shtyp".

Ndërkohë, policia malazeze është duke zhvilluar hetime për vjedhjen e flamurit tonë kombëtar para godinës së Ambasadës shqiptare në kryeqendrën malazeze.