Tiranë, 21 mars 2014 – Rreth 1.6 ton drogë e sekuestruar kohët e fundit në vend është asgjësuar sot pranë lumit Erzen. ICITAP dhe PAMEKA nën shoqërinë e një prokurori ndoqën hapat e asgjësimit të sasisë së hashashit. 

Policia e Shtetit bëri me dije se ka asgjësuar sot paradite një sasi droge, e cila kishte kaluar të gjitha procedurat ligjore të hetimit dhe gjykimit të autorëve të përfshirë në trafikimin e saj. 

“Heroinë, Kokainë dhe Kanabis Sativa janë asgjësuar nga specialistët e sektorit të Narkotikëve të Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Komisioni nën drejtimin e prokurorit mori në dorëzim provat materiale të lëndëve narkotike, për të bërë ekzekutimin e 23 vendimeve penale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë. Sasitë e provave materiale që u asgjesuan janë si më poshtë: Heroinë 8 kg 132 gram, Kokainë 1 kg e 290 gram, Kanabis sativa 1570 kg”,- thuhet në njoftim. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/