Policia Bashkiake Durrës paralajmëron një tjetër aksion, pas atij të ndërmarrë disa ditë më parë për heqjen e njoftimeve të subjekteve private nga fasadat e godinave dhe shtyllat.

Pas menaxhimit të sezonit veror, vëmendja e Policisë Bashkiake duket se është përqendruar në qytet, për të liruar të gjitha hapësirat publike të zëna nga subjektet private apo qytetarët.

Në një njoftim në rrjete sociale, Policia Bashkiake njofton subjektet se duhet të pajisen me leje pranë Drejtorisë së Shërbimeve në bashki, në të kundërt do të ndëshkohen me gjoba ose mund të kalojnë për ndjekje penale, nëse nuk lirojnë hapësirat e zëna pa lejen e institucioneve.

Aksioni do të fokusohet edhe tek mjetet rrethanore që përdorin qytetarët për të bllokuar hapësira publike.

“Aksioni do të shtrihet në të gjithë rrugët kryesore të qytetit si dhe në kuartallat e lagjeve”,– njofton Policia Bashkiake Durrës.

Njoftimi i plotë:

Në zbatim të planit të masave, si dhe në përfundim të sezonit turistik veror 2021 shërbimet e Policisë Bashkiake do të përqendrohen në lirimin e hapësirave publike në të gjithë territorin e Bashkisë Durrës.

Shërbimet tona po bëjnë verifikimet dhe njoftimet në terren të të gjithë subjekteve të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre duke zënë hapësirat publike (trotuare, sheshe, shëtitore etj) me tavolina, karrige etj, duke u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Të gjithë subjektet duhet të marrin masa për tu pajisur me leje pranë Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Durrës brenda afatit të caktuar në akt konstatimet e shpërndara nga inspektorët e Policisë Bashkiake.

Me kalimin e afatit të përcaktuar në akt konstatim do të bëhet lirimi i menjëhershëm i hapësirës publike si dhe do të meren masa administrative me gjobë deri me ndjekje penale.

Gjatë ditëve në vijim shërbimet e Policisë Bashkiake do të përqendrohen në lirimin e hapësirave publike të zëna nga qytetarë/individ/subjekte me mjete rrethanore të tilla si: kupola betoni, konikë, struktura metalike, vazo betoni etj. Aksioni do të shtrihet në të gjithë rrugët kryesore të qytetit si dhe në kuartallat e lagjjeve.