Janë inaguruar paraditen e kësaj të premteje zyrat e reja të Policisë Bashkiake të Durrësit. Zyrat e reja të kësaj policie janë vendosur pranë një tjetër drejtorie të rëndësishme në Durrës, asaj të Hekurudhës Shqiptare.
Në inagurimin e zyrave ka marrë pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili, i shoqëruar nga kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, ka inspektuar ambientet e reja.
Dako ka vlerësuar punën e kësaj policie gjatë periudhës së drejtuar nga Çopa, pasi rezultatet janë të prekshme nga të gjithë qytetarët durrsakë. Hapësira publike që prej vitesh ishin zënë nga ambulantët dhe tregtarët e bizneset i janë rikthyer durrsakëve.
Ndërkohë kreu i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, tha për DurrësLajm se pas inagurimit të zyrave të reja, kjo polici është një institucion i veçantë, në varësi të bashkisë.
“Tani mund të themi me plot gojën se kemi ngritur institucionin e Policisë Bashkiake, siç e meriton Durrësi dhe qytetarët e tij. Tani jemi më pranë qytetarëve për zgjidhjen e problemeve të tyre. Kemi ngritur edhe sallën operative, ku qytetarët mund të telefonojnë dhe të parashtrojnë problematikat që i shqetësojnë dhe që do të marrin zgjidhje nga Policia Bashkiake”,- tha Çopa.
Por ajo që e bën edhe më funksionale këtë polici është fakti se është rritur numri i efektivëve të saj. Nga 20 efektivë që ishin më parë, numri ka mbërritur në 32, ndërkohë që do të rritet edhe më tej.
“Para një jave është miratuar nga Këshilli i Ministrave projekt-struktura që kemi hartuar muaj më parë. Së shpejti, Policia Bashkiake do të ketë 80 efektivë. Do të nisim procedurat e konkurimit për 48 punonjës të tjerë. Kjo është një arritje e madhe”,– tha Çopa për DurrësLajm.
Ndërkohë, përsa i përket sezonit të vjeshtës, Çopa thekson se me mbylljen e sezonit turistik, policia bashkiake është në krye të detyrës si asnjëherë më parë.





