Policia Bashkiake vijon punën e pandërprerë për t’i rikthyer Durrësit hapësirat publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme nga qytetarë të papërgjegjshëm.
Këtë të premte, efektivët e Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Rrugëve dhe atë të Pastrim-Gjelbërimit, janë zhvendosur në lagjen nr. 4 të qytetit, konkretisht te stacioni i autobusave të Shijakut.
Shkak ishin bërë ankesat e banorëve, të cilët pasi njoftuan Policinë Bashkiake, kjo e fundit dërgoi menjëherë në terren mjetet dhe efektivët për të bërë të mundur lirimin e zonës.
Disa subjekte dhe banorë të zonës, kishin zënë hapësirat publike me hekura, zinxhirë dhe platforma betoni, duke kufizuar në këtë mënyrë lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Siç e konfirmojnë për “DurrësLajm” burime zyrtare nga ky institucion, aksioni do të përqendrohet në brendësi të lagjeve në të gjithë qytetin.





