Brazil, 15 qershor 2014 – Një prej yjeve që pritet të shkëlqejë në këtë Botëror është padyshim Cristiano Ronaldo, me këtë të fundit që do të përpiqet të udhëheqë Portugalinë drejt rezultateve pozitive në Brazil. Futbollisti i Realit të Madridit është padiskutim një prej lojtarëve më të pëlqyer që merr pjesë në Botëror dhe kjo u vu re qartë kur kombëtarja luzitane mbërriti në vendin e sambas me tifozë të shumtë që vraponin drejt autobusit që po transportonte lojtarët portugezë në vendgrumbullimin e tyre në Campinas. Konkurrentja e Miss “Bum Bum” madje Andresa Urach sakrifikoi jo pak duke u paraqitur e zhveshur ne Campinas, me fanellen e Portugalisë të pikturuar në trup vetëm e vetëm për t’i tërhequr vëmendjen Ronaldos, por gjithsesi pa arritur që ta takonte. 

Ideja se fansat e shumtë që ka Ronaldo mund të shqetësojnë kombëtaren e drejtuar nga Paulo Bento në prag të përgatitjeve të tyre për ndeshjen me Gjermaninë ka bërë që shteti brazilian të vërë në dispozicion për ruajtjen e Ronaldos me shokë tre lloje të ndryshme forcash sigurie. Policia Federale Braziliane, Forcat Militare të Sao Paolos si dhe Policia e shtetit të Ponte Pretas janë duke mbrojtur momentalisht Portugalinë në vendgrumbullimin e tyre në Campinas. 15 agjentë për perimetër qëndrojnë të gatshëm gjatë 12 orëve që vendgrumbullimi i luzitanëve në Ponte Preta është i hapur. 8 efektivë të tjerë shoqërojnë kombëtaren portugeze në çdo hap që hedh. 

Ndërkohë që kanë mbështetjen edhe të 20 agjentëve të një policie private me këta të fundit që mbajnë nën vëzhgim çdo cep të vendqëndrimit të tyre. Minimalisht janë 50 efektivë policie që ruajnë Cristiano Ronaldon me shokë për të evituar çfarëdo lloj problemi me fansa të ndryshëm gjatë lëvizjes së përfaqësues europiane nga hoteli në qendrën stërvitore, ndërkohë që edhe 9 motorë të forcave të rendit dhe dy makina krejtësisht të blinduara i shoqërojnë ata gjithmonë gjatë lëvizjes së tyre. Megjithatë për tifozët portugezë më shumë sesa angazhimi i forcave të sigurisë për përfaqësuesen luzitane rëndësi do të ketë markimi që do t’i bëjnë lojtarët gjermanë yllit të tyre Cristiano Ronaldo në ndeshjen debutuese të këtij Botërori.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/