TIRANË, 22 shkurt 2013 – Policia e Shtetit bëri të ditur se u bllokuan sot rreth 4500 ton naftë bruto dhe produkte të tjera të hidrokarbureve në Fier pasi dyshohen se tregtohen dhe magazinohen në kundërshtim me ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”. 

Operacioni u krye bazuar në një plan të përbashkët ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Operacioni kishte si qëllim kontrollin e ligjshmërisë së mallrave të akcizës, si dhe kontrollin e rregullshmërisë së faturave tatimore, gjatë ditës së sotme, është ushtruar kontroll tek subjektet tregtare për zbatimin e ligjit të akcizave për hidrokarburet. 

Siç bën të ditur Policia e Shtetit, gjatë kontrolleve të ushtruara u bllokuan për verifikime të mëtejshme rreth 4500 ton naftë bruto dhe produkte të tjera të hidrokarbureve në subjektet tregtare “LADI 2008”, “A&A OIL 10 sh.a”, dhe “2K PLAKA”. Kontrollorët dyshojnë se këto mallra tregtohen dhe magazinohen në kundërshtim me Ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”. 

Lidhur me këtë sasi të bllokuar do të kryhen verifikimet e nevojshme për sa i përket cilësisë së produkteve, origjinës së tyre, si dhe rregullshmërisë së faturave tatimore.