Policia greke ka bllokuar një automjet në të cilin u gjetën shkopinj, maska dhe sende të forta që përdoren prej anarkistëve në sulmet e tyre ndaj policisë.
Sipas drejtorisë së policisë së Atikës, automjeti i anarkistëve që drejtohej prej Kostas Burnas, një ish-terrorist, anëtar i organizarës “Lufta Revolucionare” u bllokua në rrugën Stadiu në qendër të Athinës, pikërisht në kohën që grupimet anarkiste kishin paralajmëruar një protestë në kujtim të revoltës studentore të politeknikumit të Athinës.
Protesta u anulua prej autoriteteve nën frikën e përhapjes së covid.
Burnas dhe një person që ndodhej me të u ndaluan, ndërsa po hetohet edhe për anëtarë të tjerë të grupeve anarkiste që do të merrnin pjesë në protestë.
Policia ka vënë në terren më shumë se 5000 forca policore për të ndaluar tubimet, ndërsa kryeministri Mitsotakis bëri thirrje për respektim të rregullave anti covid.





