TIRANE, 23 shtator 2013 – Policia e Shtetit, në vijim të punës për evidentimin e ndërtimeve abuzive, bllokimin e tyre dhe procedimin e personave të cilët duke abuzuar me ligjin i ndërtojnë ato, gjatë ditës së djeshme, ka proceduar 8 persona, po ashtu nga shërbimet e policisë janë bllokuar dhe objektet që po ndërtoheshin pa leje në rrethet Pogradec, Tiranë, Durrës, dhe Kavajë.
Nga Komisariati i Policisë Durrës filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Ismet A., vjeç 60, banues në Tiranë, pasi shërbimet e policisë kanë konstatuar se tek “Shkëmbi i Kavajës”, në objektin e tij 10 katësh, po ndërtonte një kat pa lejen përkatëse. Strukturat e policisë krahas kryerjes së veprimeve procedurale për rastin bënë dhe pezullimin e këtij objekti.
Po nga strukturat e këtij Komisariati filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Sabri Sh., banues në Durrës, pasi shërbimet e policisë konstatuan se po ndërtonte një shtesë kati pa leje.
Nga Komisariati i Policisë Pogradec gjatë ditës së djeshme janë proceduar 4 persona për ndërtime të pa ligjshme, duke bllokuar dhe ndërtimet abuzive. Konkretisht janë proceduar shtetasit: Artur T 24- vjeç, banues në fshatin Lin, pasi në breg të liqenit të Ohrit, po ndërtonte një objekt pa leje. Edvin Sh., 34- vjeç, banues në fshatin Lin, pasi në breg të liqenit të Ohrit, po ndërtonte një objekt pa leje. Olgert R., 28- vjeç, banues në fshatin Gurras, pasi u kap duke ndërtuar një objekt pa leje. Erjon S., 31-vjeç, banues në fshatin Tushemisht, pasi po ndërtonte një objekt pa leje. Në Kavajë është proceduar e ndiqet në gjendje të lirë shtetasi Sokol A., vjeç 46, banues në Kavajë, i cili është konstatuar duke ndërtuar një objekt pa leje në fashtin Karpen.
Ndërkohë Stacioni i Policisë në Farkë, filloi procedimin penal për shtetasin Agron Shehu, përfaqësues i firmës së ndërtimit “Shehu shpk”, për veprën penale të ndërtimit pa leje, parashikuar nga neni 199 i Kodit Penal.





