ANGLI, 24 mars 2013 – Policia britanike po heton vdekjen e biznesmenit rus dhe kritikut të Kremlinit, Boris Berezovsky.

67-vjeçari Berezovsky u gjet i vdekur dje në Askon, një qytet rreth 40 kilometra në perëndim të Londrës.

Policia lëshoi një njoftim në të cilin thotë se vdekja e tij po trajtohet për momentin si e pashpjegueshme dhe se një hetim i plotë është duke u kryer.

Berezovsky ka jetuar në Britaninë e Madhe që nga viti 2000 pasi acarimit të marrëdhënieve të tij me Presidentin Vladimir Putin.

Rusia kishte kërkuar ekstradimin e tij, pasi e akuzonte për shpërdorime, por qeveria britanike refuzoi ta kthente dhe i dha strehim politik.

Miliarderi rus, Boris Berezovsky, ish matematikan dhe zyrtar i qeverisë, u pasurua në Rusinë pas sovjetike të viteve 90-të.

Ai përfitoi duke marrë kontrollin e shumë pasurive, përfshirë edhe kanalin kryesor televiziv të vendit, Channel One.  Në vitin 1997, revista Forbes e llogariste pasurinë e Berezovsky-it në rreth 3 miliardë dollarë.

Berezovsky ishte në kulmin e pushtetit të tij gjatë presidencës së Boris Yeltsin-it dhe arriti të mbante edhe postin e zv/sekretarit të këshillit të sigurimit të Rusisë.

Berezovsky ishte mbështetës i Presidentit Vladimir Putin, por ata hynë shpejt në konflikt pas zgjedhjes së Putin në vitin 2000. Berezovsky u bë më pas kritik i ashpër i Kremlinit.  

Një gjykatë në Rusi e dënoi atë në mungesë për krime ekonomike.

Qeveria mori në kontroll pasuritë e tij të televizionit dhe pjesë të pasurive të tjera që ai kishte në vend.

Në vitin 2012, Berezovsky humbi një çështje ligjore kundër pronarit të Klubit të futbollit Chelsea, rusit Roman Abramovich, të cilin e akuzoi për shantazh dhe kërcënime lidhur me pasuritë në një kompani nafte në Rusi.