Policia britanike ka shpallur në kërkim, Elidon Habilaj nga Vlora i cili përpara 13 vjetësh ka kërkuar azil në Londër si kosovar me emrin Bekim Ademi, duke fituar përmes mashtrimit shtetësine britanike, por edhe duke mundur të punësohet më pas edhe në Policinë Metropolitane të Londrës dhe madje edhe në Agjensinë britanike të Luftës kundër Krimeve të Rënda dhe Serioze, SOCA-s.
Sipas Top Channel, Habilaj u pikas pas një verifikimi të profilit të tij të identitetit nga kjo agjenci. Për këto akuza të përfitmit përmes mashtrimit, ai u shpall fajtor dhe u dënua me 18 muaj burg nga Gykata e Kurrores në Snaresbrook në Londrën lindore.
Gjykatësi Simon Wilkinson tha se “Habilaj pretendonte se ishte nga Kosova dhe fabrikoi një numër mizorish për të fituar simpatinë”.
Në proces u tha se ai pretendonte se i kishte të thyer pesë dhëmbët e para nga policia serbe dhe vëllai i kishte vdekur nga torturat, ndërkohë prindërit i kishin vdekur. Dokumentacioni autentik i paraqitur në proces vërtetonte se ai ishte nga Shqipëria dhe nuk kishte vëlla dhe prindërit i kishte gjallë. Procesi ndaj 35-vjecarit Elidon Habilaj u zhvillua pa praninë e tij, pasi ai nuk u paraqit në gjykatë dhe ndaj tij më parë ishte lëshuar një urdhër-arresti. Ai ishte arretsuar dhe liruar me kusht, por mendohet se është larguar ndërkohë nga Britania.





