*Policia: Kontrolle të vazhdueshme për të garantuar një jetë më të sigurt
*Nis procedimi penal ndaj 5 personave
Katër ditë pas atentatit me armë zjarri që u mori jetën dy të rinjve në Durrës dhe tronditi mbarë qytetin, efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) Tiranë, kanë nisur zbatimin e planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë së qytetarëve.
Mbrëmjen e djeshme, janë ushtruar kontrolle në lokalet më të frekuentuara të qytetit si edhe në rrugët kryesore dhe dytësore më lëvizshmërinë më të lartë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e akteve kriminale. Gjatë këtyre kontrolleve, u është ushtruar kontroll i imtësishëm personave frekuentues në lokale, me qëllim kapjen dhe sekuestrimin e sendeve të paligjshme. Burimet policore bëjnë me dije se vetëm mbrëmjen e djeshme, ka nisur procedimi penal ndaj 5 personave, 4 prej të cilëve janë disa të rinj nga Durrësi, që u kapën me kanabis në lokal.
Si rezultat, u shoqëruan në ambientet e Komisariatit të Policisë dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasve:
•K.T. 18 vjeç, banues në Durrës;
•B.T. 18 vjeç, banues në Durrës;
•D.Sh. 19 vjeç, banues në Shijak;
•L.Th. 20 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasit e mësipërm, klientë në një nga lokalet ku u ushtrua kontroll, në lagjen nr. 1 në Durrës, në tokë, në afërsi të tavolinës ku ishin ulur, iu gjetën dhe iu sekuestruan:
• një qese celefoni me peshë rreth 6.5 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa.
Gjithashtu, filloi procedimi penal edhe ndaj shtetasit P.D., 45 vjeç, banues në Durrës, pasi në një lokal në lagjen nr. 4, gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij, iu gjet dhe iu sekuestrua:
• një krehër pistolete me 16 copë fishekë, 9 mm;
• një shumë parash prej 5 350 €.
Ndaj 4 të rinjve rëndon akuza e “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, ndërsa ndaj 45-vjeçarit akuza e “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të municionit”.
Policia e Durrësit paralajmëron se kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, dhe kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve, me qëllim parandalimin e fenomeneve të jashtëligjshme duke siguruar një jetë më të sigurt.
S.L.





