7 tetor 2015 – Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës kanë intensifikuar masat, kryesisht në akset rrugore kryesore, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë duke goditur raste të drejtimit të mjeteve në mënyrë të parregullt.
Për 6 ditë, nga data 1 deri më 6 tetor, janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas, të cilët kanë drejtuar mjetet e tyre pa targa dhe pa leje drejtimi, 4 prej të cilëve kanë qenë në gjendje të dehur.
Rëndësi i është kushtuar gjithashtu edhe drejtuesve të motorave, teksa mësohet se janë bllokuar 6 mjete të tilla, pasi drejtuesit e tyre nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.
Vetëm ditën e djeshme, janë arrestuar në flagrancë 2 shtetasit: Bari Gishta 20 vjeç, dhe Armand Gega 35 vjeç, të dy banues në Durrës.
20-vjeçari u ndalua në lagjen Nr.18, pasi u kap duke drejtuar mjetin motorin tip “Peugeot” pa targë, pa leje drejtimi dhe pa dokumente. Ndërsa, 35-vjeçari Gega u kap në lagjen Nr.16 duke drejtuar motorin tip “Yamaha” me targë DR 211 B, pa leje drejtimi, pa dokumente dhe në gjendje të dehur në masën 0.48 g/l alkool.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ndërkohë, masat e marra nga efektivët e policisë do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim duke vënë para përgjegjësisë çdo shtetas që shkel rregullat e qarkullimit rrugor dhe Kodin Penal.
/S.L. portali DurresLajm/