Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “Brezi”, i cili u zhvillua pas informacioneve operative se një shtetas qarkullonte me automjet dhe ishte i armatosur me armë zjarri.

Në lagjen nr. 6, në rrugën “Hysen Myshketa”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin e dyshuar dhe gjatë kontrollit fizik të drejtuesit, shtetasit I. D., 53 vjeç, banues në Sukth, i kanë gjetur në brez një armë zjarri pistoletë Glock, së bashku me municion luftarak.

Arma, municioni dhe automjeti me të cilin lëvizte 53-vjeçari u sekuestruan si prova materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, ai u arrestua në flagrancë për veprën “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brezi”

Qarkullonte me automjet dhe i armatosur me armë zjarri, të cilën e mbante në brez; kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari.
Sekuestrohet arma e zjarrit, municioni luftarak dhe automjeti me të cilin qarkullonte.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër armëmbajtësve pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Brezi”.

Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 6, në rrugën “Hysen Myshketa”, është konstatuar nga shërbimet e Policisë dhe është ndaluar për kontroll automjeti që dyshohej se drejtohej nga shtetasi i armatosur me armë zjarri.

Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën në brez shtetasit I. D., një armë zjarri, pistoletë Glock, me municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. D., 53 vjeç, banues në Sukth, Durrës, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.