Policia e Durrësit ka arrestuar dy autorët e vrasjes që tronditi mbrëmjen e djeshme qytetin bregdetar.

Pas verifikimit të pamjeve filmike dhe provave në vendngjarje rezultoi se vrasja është realizuar nga dy vëllezërit Ekonomi për motive të dobëta, ndërkohë që dhëndri i njërit prej vëllezërve Ekonomi, Jurgen Kurti, nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e rëndë.

Në vendngjarje, efektivët e rendit kanë sekuestruar një thikë, në cilësinë e provës materiale.

Të arrestuarit:

  • Kostandin Ekonomi 54 vjeç, banues në Durrës;
  • Kujtim Ekonomi 50 vjeç, banues në Durrës.

Mekanizmi i ngjarjes:

Palët janë konfliktuar me njëri- tjetrin me sende të forta dhe për motive të dobëta (për një tub aspirimi).

Autorët e arrestuar dhe shtetasi Jurgen Kurti, i shoqëruar mbrëmë nga Efektivet e Policisë, i detyroheshin viktimës që t’i paguanin një shumë parash, 13 000 lekë të reja për tubin e aspirimit.

Viktima ia ka kërkuar shtetasit Jurgen Kurti paratë dhe në debat e sipër, kanë ardhur dhe janë përfshirë në konflikt edhe dy vëllezërit Ekonomi.

Këto dy të fundit e kanë futur viktimën, shtetasin Agim Arapi brenda në dyqanin ushqimor dhe kanë mbyllur qepenin, ku aty më pas e kanë goditur me grushta.

Gjatë kësaj kohe, shtetasi Jurgen Kurti ka qenë jashtë dyqanit ushqimor (qepeni ishte i mbyllur dhe brenda ndodheshin viktima dhe autorët).

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një thikë.

Shkaku i vdekjes së Agim Arapit

Nga ekspertiza mjeko- ligjore u vërtetua se shtetasi Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, ku nuk ka përballuar dot goditjet me grushta, të kryera nga autorët.

Policia njofton se “materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ”Vrasja me dashje”në bashkëpunim dhe”Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar në nenet 76, 25 dhe 279 të Kodit Penal”.