Policia e Durrësit njofton se ka vënë në pranga dy shoferë, të cilët drejtonin mjetin në gjendje të dehur.
Mësohet se njëri prej tyre ka aksidentuar një këmbësor 33-vjeçar dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
NJOFTIMI I POLICISË
Specialistët e Qarkullimit Rrugor Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:
P. P., 42 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen nr. 18, Durrës, duke drejtuar mjetin tip” Benz”, në gjendje të dehur, ka aksidentuar shtetasin këmbësor E. K., 33 vjeç, banues në Durrës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Shtetasi i dëmtuar ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu është vënë në pranga shtetasi E. H., 40 vjeç, banues në Fier, pasi është konstatuar në segmentin rrugor Thumanë – Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin tip “Skoda”, në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





