Mesditën e sotme, policia e Durrësit ka dërguar në vendin e krimit 19-vjeçaren Hygerta Meta, për të rindërtuar edhe një herë të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe për të zbuluar më shumë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë.

Hygerta dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjetër ka vrarë dhe ka groposur babain e saj, Pëllumb Meta, i denoncuar i zhdukur 10 ditë më parë.

Në të njëjtën kohë, efektivët po kërkojnë me dedektor armën e krimit, tip pistoletë.

19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila vrau të atin në Shënavlash të Durrësit dhe e groposi në kasollen e lopës, është studente e Fakultetit Ekonomik në Tiranë.

Dyshohet se ajo e ka ekzekutuar me pistoletë të atin, pasi ai donte ta fejonte pa dëshirën e saj.

Trupi i Pëllumb Metës, me peshë 90 kg, u gjet i varrosur 70 metra në distancë nga banesa. Kjo do të thotë se transportimi i tij është i pamundur të bëhet vetëm. Po kështu viktima është mbështjellë me plasmas dhe varrosur 1.5 metra thellë çka sjell dyshime se ajo nuk ka vepruar e vetme dhe dyshohet se persona të tjerë kanë qenë bashkëpunëtorë në krim. Hetuesit po verifikojnë rolin e familjarëve.