Kishte ndërmend të realizonte vjedhjen e një supermarketi në lagjen nr.5 të qytetit të Durrësit, por policia i “prishi” planin.

28 vjeçari V. Mërtiri u arrestua në flagrancë, pasi u pikas nga policia, ndërsa po tentonte të vidhte supermarketin.

Duket se hajduti nuk ka zgjedhur kohën e përshtatshme për të realizuar vjedhjen, pasi një natë më parë, policia e Durrësit ka qenë në një superaksion për goditjen e veprimtarisë kriminale. (foto nga aksioni i policisë, një natë më parë)

Ndërkohë, një “koleg” i Mërtirit ka qenë më me fat, pasi ka arritur të vjedhë një dyqan pajisjesh elektronike në lagjen nr.14 të Durrësit.

Policia është njoftuar nga pronari i lokalit, shtetasi B.L., 22 vjeç, për vjedhjen e disa telefonëve celularë dhe të një laptopi.

Në këtë rast, grupi hetimor ka mbledhur provat në vendin e ngjarjes dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e hajdutit.