Pas Drejtorisë së Përgjithshme Detare, ka reaguar edhe Policia e Durrësit lidhur me incidentin e ndodhur dy ditë më parë në port.
Policia bën me dije se për konfliktin e ndodhur mes ekuipazhit të tragetit dhe pasagjervëe, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I.M., 35 vjeç, banues në Itali.
35-vjeçari me detyrë roje fizike i linjës Bari-Durrës akuzohet për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”.
NJOFTIMI I POLICISË
Në lidhje me një incident që ka ndodhur më datë 11.08.2018 në sheshin e trageteve në Port – Durrës, informojmë se:
Konflikti ka nisur midis ekuipazhit të tragetit të linjës Bari -Durrës-Bari dhe pasagjerëve.
Pasagjerët ishin acaruar pasi kishin disa orë që prisnin për ti nisur për udhëtim, por trageti kishte pësuar defekt dhe kishte njoftuar se do të kishte vonesë në nisje.
Në lidhje me ngjarjen ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë, për veprën penale "Plagosja e lehtë me dashje", në ngarkim të shtetasit I. M. 35 vjeç, banues në Itali, me detyrë roje fizike të linjës Bari – Durrës – Bari, pasi ky shtetas është konfliktuar dhe ka goditur me sende të forta disa shtetas që do të udhëtonin me traget për në Itali.
Konflikti u shua me ndërhyrjen e punonjësve të Policisë së Kufirit Durrës.
Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës për rastin në fjalë, me qëllim analizimin dhe parandalimin e rasteve të tjera i ka kërkuar zyrtarisht Autoritetit Portual Durrës mbledhjen e Komitetit të Sigurisë me të gjithë Operatorët në marrjen e masave të nevojshme.





