Policia e Durrësit ka reaguar për ngjarjen e rëndë që u regjistrua në lagjen nr.13, ku një banesë u hodh në erë pas shpërthimit të bombolës së gazit. 

Sipas informacioneve paraprake, bëhet e ditur se “Më datë 17.12.2020, në orën 06:45, në lagjen nr.13, Durrës, si pasojë e rrjedhjes së bombolës së gazit ka rënë zjarr në banesën e shtetasit F. B., 75 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikësve kanë dhënë ndihmën e parë ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes, njoftojnë më tej blutë e Durrësit.

Ngjarja ndodhi në banesën e Fetah Barotit, e cila është shkatërruar totalisht, ndërkohë që këtë të fundit e kanë zënë rrënojat brenda. Falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse është bërë e mundur shpëtimi i pronarit të shtëpisë, i cili gjatë momentit të shpërthimit ka qenë i vetëm.