Pas publikimit të një videoje në portalet online dhe rrjetet sociale, ku dukeshin disa punonjës të policisë Durrës ndërsa ushtronin dhunë gjatë shoqërimit të dy personave për në komisariatin e policisë, ka reaguar Drejtoria e Policisë Durrës.
Sipas kësaj të fundit, ngjarja e regjistruar pasditen e sotme ka ndodhur në afërsi të sheshit “Pranvera”. Dy persona në gjendje të dehur janë konfliktuar me pronarin e një kioske aty pranë.
Pas ndërhyrjes së policisë, dy të ndaluarit kanë ushtruar dhunë edhe ndaj efektivëve dhe njëri prej tyre ka mbetur i dëmtuar.
“Në lidhje me veprimet e punonjësve të policisë me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë është bërë pezullimi i tyre, konkretisht janë pezulluar 3 punonjës policie. Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për të verifikuar veprimet e punonjësve të policisë nëse ka apo jo tejkalim të detyrës” njofton Policia e Durrësit.
Sqarim nga DVP Durrës
Në lidhje me një video të publikuar më rrjetet sociale ku paraqiten punonjësit e policisë duke shoqëruar dy persona në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës, bëjmë me dije se:
Sot, rreth orës 17:30 Policia është njoftuar se ka një konflikt në Sheshin Pranvera.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, Patrulla e Rendit dhe Shërbimet e Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë konstatuar se dy persona, shtetasit P.C. dhe R.B. ishin konfliktuar me shtetasin I.M.
Ky I fundit kishte një kioskë në Sheshin Pranvera.
Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, ku shtetasit P.C dhe R.B. kanë ofenduar shtetasin I.M. dhe dëmtuar kioskën e tij.
Të ndodhur në këto kushte Efektivet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës shtetasit P.C dhe R.B., të cilët ishin në gjëndje të dehur.
Në momentin e shoqërimit dy shtetasit e lartpërmendur kanë kundërshtuar duke ushtruar forcë dhe dhunë ndaj punonjësve të policisë.
Konkretisht, një punonjës policie është dëmtuar.
Sqarojmë se video e hedhur në rrjetet sociale është e pjesshme dhe nuk tregon të gjitha veprimet e kryera nga Efektivet e Policisë gjatë shoqërimit.
Për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale është njoftuar Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Vijon puna nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Prokurorisë me qëllim hetimin e paanshëm të ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të saj.
Në lidhje me veprimet e punonjësve të policisë me urdhër të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë është bërë pezullimi i tyre, konkretisht janë pezulluar 3 punonjës policie.
Ndërkohë, Drejtoria e Standarteve Profesionale me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka nisur menjëherë hetimin disiplinor për të verifikuar veprimet e punonjësve të policisë nëse ka apo jo tejkalim të detyrës.





