Policia e Durrësit ka dalë me një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen nr. 15, ku dyshohet se një konflikt për motive të dobëta ka degjeneruar në dhunë fizike.

Sipas njoftimit, shtetasi K. Kaçaniku, 37 vjeç, ka goditur me sende të forta dy kushërinj, B. Xhani, 66 vjeç, dhe A. Xhani, 61 vjeç. Gjatë përplasjes, ai dyshohet gjithashtu se ka qëlluar në ajër me një armë me fishekë manovër, e cila është sekuestruar nga policia si provë materiale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operative, 37-vjeçari u arrestua në flagrancë. Të dëmtuarit u dërguan në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

Goditi me sende të forta, për motive të dobëta, 2 shtetas, kapet dhe vihet në pranga, 37-vjeçari.

Sekuestrohet arma me fishekë manovër, me të cilën dyshohet se 37-vjeçari qëlloi në ajër, gjatë konfliktit.

Menjëherë pas njoftimit, rreth orës 08:30, se në lagjen nr. 15, dyshohet gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi K. K., 37 vjeç, kishte goditur me sende të forta, shtetasit B. Xh., 66 vjeç dhe A. Xh., 61 vjeç (kushërinj), shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u mundësua arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K..

37-vjeçari dyshohet gjithashtu se gjatë konfliktit, ka qëlluar në ajër, me armë me fishekë manovër. Arma u gjet dhe u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë, 2 të dëmtuarit po marrin asistencë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.