Policia e Durrësit ka zbarkuar në shëtitoren “Taulantia” me një nga automjetet e saj civile “Land Rover Discovery”, për të përcjellë qytetarët në banesa.
Me lehtësimin e masave ditët e fundit, në shëtitore ka pasur lëvizje të shpeshta të banorëve gjatë orëve të pasdites, kryesisht atyre që banojnë në këtë zonë, që dilnin për ecje apo për të marrë pak ajër buzë detit.
Por pasditen e sotme u vu re patrullimi i shpeshtë i Policisë së Rendit që nuk i lejonte më njerëzit të lëviznin gjatë gjithë Vollgës deri te Sfinksi, duke i këshilluar që të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
E shtuna dhe e diela për dy fundjava me radhë kanë qenë plot lëvizje e gjallëri, sidomos në këtë zonë të shumëfrekuentuar nga durrsakët; në mëngjes deri në orën 10:00 nga pensionistët, ndërsa deri në 17:30 nga prindërit që nxirrnin fëmijët. Por orët e liridaljes i kanë shfrytëzuar edhe shumë të tjerë, pavarësisht se nuk i përkisnin këtyre dy kategorive të caktuara.
Ndërsa sot në mbrëmje, duket se në Vollga u rikthye qetësia e ditëve të para të karantinimit të plotë…





