Policia e Kosovës ka njoftuar se pas bastisjeve që ka kryer në një bankë dhe në degën e Thesarit të Serbisë në Leposaviç janë sekuestruar miliona dinarë e dhjetëra mijëra dollarë e euro.

“Lidhur me rastin, më 12.09.2024 njësitet policore kanë  kryer kontroll në dy lokacione, nën dyshimin se institucionet financiare kanë kryer veprat e cekura. Gjatë bastisjes janë sekuestruar; 5,772 313.00- dinarë serbë, 57,626.00-dollarë amerikanë, 10,835.00-euro, 2,790.00 franga zvicerane, dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR të kamerave të sigurisë”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

Në rastin që është cilësuar si pastrim i parasë dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike po ashtu thuhet se janë sekuestruar edhe disa vula dhe dokumente të ndryshme që theksohet se dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve.

“Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë kryer në konsultim e koordinim me prokurorin e shtetit”, thuhet në raport.