Deputeti Vladimir Gjukanoviç nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, shkroi në Twitter se ai beson se Serbia mund të detyrohet të përfshihet në “denazifikimin” e Ballkanit.

“Më duket se Serbia do të detyrohet të fillojë denazifikimin e Ballkanit. Do të doja të gaboja”, ka shkruar Gjukanoviç, raporton media serbe N1.

Termi “denazifikim” u përdor nga Rusia si një nga pretekstet për pushtimin ushtarak të Ukrainës.

Deklaratat e deputetit serb vijnë në një situatë të tensionuar në veri të Kosovës, pasi kjo e fundit vendi të fusë nesër në fuqi reciprocitetin për targat.

Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtarë dhe automjete në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë, për shkak të bllokimit të rrugëve nga ana e serbëve lokalë në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.

Serbët kanë bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie ndaj masave të reciprocitetit të autoriteteve kosovare për letërnjoftimet dhe targat e lëshuara nga Serbia, të cilat hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.