Strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar maksimalisht gjatë muajit qershor, për kontrollin e të gjithë territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme që cenojnë jetën dhe pronën e qytetarëve apo prishin rendin dhe sigurinë publike.
Ky plan masash angazhoi me shërbim 1700 punonjës policie, të cilët janë në gatishmëri në të gjitha pikat e kalimit kufitar, në zonat urbane dhe në ato turistike, në mënyrë që qytetarët vendas apo të huaj të pushojnë të qetë dhe të sigurt në Shqipëri.
Gjatë muajit qershor, hartimi dhe zbatimi i planeve të masave nga Policia e Shtetit, siguroi mbarëvajtjen e ndeshjes ndërkombëtare të futbollit që u zhvillua në stadium “Air Albania”, të provimeve të maturës shtetërore dhe të aktiviteteve të tjera kulturore dhe sportive, që janë zhvilluar gjatë këtij muaji, në disa qytete.
Policia e Shtetit theksoi se “angazhimi, vendosmëria dhe profesionalizmi i strukturave policore çoi në finalizimin e 116 operacione policore dhe në kapjen e 80 shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. 5 shtetas që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për vepra të ndryshme penale, janë lokalizuar dhe arrestuar në qytete të ndryshme në Shqipëri, gjatë operacioneve të finalizuara falë bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve me homologët italianë dhe me zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri”.
Informacionet e siguruara nga inteligjenca policore dhe veprimet e shpejta nga Policia kanë bërë të mundur parandalimin e atentati ndaj një shtetasi që do të kryhej nga një grup kriminal, në Berat.
Në kuadër të operacionit të koduar “Objektivi”, u sekuestruan 2 armë zjarri me silenciatorë, municion luftarak, mjete dhe sende të paligjshme që do të përdoreshin për realizimin e vrasjes. Policia identifikoi dhe vuri në pranga një shtetas të përfshirë në këtë rast dhe vijon punën për kapjen e 3 pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal.
Gjithashtu, si rezultat i ndërhyrjes në kohë dhe veprimeve te mirëkoordinuara nga shërbimet e Policisë, janë parandaluar 5 ngjarje të tjera në fushën e krimeve ndaj personit dhe janë vënë në pranga 5 shtetas të përfshirë në këto raste.
Muaji qershor ka pasur si prioritet edhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Në këtë kuadër, me përdorimin e dhjetrave dronëve, janë zhvilluar paralelisht 10 megaoperacione në gjithë vendin, si rezultat i të cilave janë asgjësuar në total 44 620 fidanë dhe bimë narkotike që ishin kultivuar apo po tentohej të kultivoheshin në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Në territorin e qarkut Shkodër, në kuadër të fazave të radhës të megaoperacioneve të koduara “Alpe të pastra”, “Baks” dhe “Mnela”, janë gjetur dhe asgjësuar 16 442 bimë dhe fidanë narkotike që ishin kultivuar në minisera dhe në terrene malore.
Në territorin e qarkut Lezhë, në kuadër të megaoperacionit të koduar “Imazhi”, janë gjetur dhe asgjësuar 19 084 bimë dhe fidanë narkotikë që janë gjetur gjatë kontrollit në fshatra të ndryshme të këtij qarku.
Ndërkaq, për goditjen e veprimtarive të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të narkotikëve janë zhvilluar 25 operacione, si rezultat i të cilëve janë sekuestruar në total rreth 4.5 kg kokainë, 23.5 kg kanabis sativa, 1.4 kg heroinë dhe dhjetëra doza të drogave GHB, MDMA, Poppers dhe Ekstazi.
Gjithashtu, gjatë këtyre operacioneve janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, dhjetëra peshore elektronike për ndarjen e drogave në doza, armë zjarri, armë të ftohta dhe automjete që përdoreshin nga autorët e këtyre veprimtarive kriminale.
Megaoperacioni i koduar “Rrjeti”, që goditi 4 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve, është treguesi më i mirë i besimit të shtuar të qytetarëve te Policia e Shtetit, si dhe i bashkëpunimit mjaft të mirë mes Policisë dhe organeve ligjzbatuese.
Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 50 shtetas dhe u shpallën në kërkim 7 të tjerë, si dhe u sekuestruan sasi të drogave kokainë, heroinë, kanabis, armë zjarri dhe shuma të konsiderueshme parash.
Gjthashtu, vlen të përmenden 4 operacione që shkatërruan grupe kriminale për shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza.
Në Vlorë, fazat e operacionit të koduar “Parts” çuan në pranga 9 shtetas të huaj që kishin ardhur si turistë në Shqipëri dhe shpërndanin doza të lëndëve të ndryshme narkotike, gjatë sezonit turistik.
Për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje janë finalizuar 8 operacione, si rezultat i të cilëve janë sekuestruar 20 armë zjarri të llojeve të ndryshme, 2 prej tyre me silenciatorë, 5 armë gjahu, 2 armë imituese, municion luftarak, 3 mina me telekomamdë, 60 kallëpe tritoli, 47 kapsolla detonatore, lëndë plasëse e prodhuar në mënyrë artizanale, armë të ftohta, motomjet, skafandra, mjete, veshje kamuflazhi, radio marrëse-dhënëse, dylbi dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Operacioni policor i koduar “Amoneks”, i zhvilluar me metoda proaktive, çoi në pranga një shtetas që prodhonte mina me telekomandë, për t’ua shitur në qarkun Lezhë, shtetasve apo grupeve kriminale, për t’i përdorur për krime ndaj personit.
Gjatë muajit qershor 2023, falë veprimeve të thelluara hetimore janë zbardhur një ngjarje kriminale që u raportua si aksidentale dhe 8 ngjarje të tjera në fushën e krimeve kundër personit dhe pronës.
Falë bashkëpunimit me partnerët amerikanë u finalizua operacioni i koduar “PBF”, që goditi veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve nëpërmjet pasaportave false. Ky operacion shkatërroi rrjetin e falsifikimit të pasaportave diplomatike që përdoreshin për të kaluar ilegalisht drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për goditjen e rasteve të transportimit të emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për kalimin ilegal të kufirit shtetëror, me destinacion final vendet e BE-së, janë zhvilluar 10 operacione në të gjithë vendin. 15 automjete me të cilat transportoheshin emigrantët dhe shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale, janë sekuestruar nga Policia.
Për paligjshmëritë në fushën e krimeve ekonomike janë finalizuar 11 operacione dhe janë goditur 134 raste.
Si rezultat i operacioneve për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit janë sekuestruar 18 kompjuter, celularë, tavolina pokeri dhe aksesorë të ndryshëm që përdoren për këtë veprimtari.
Gjatë operacioneve të tjera në këtë fushë janë sekuestruar 467 monedha si ato prej floriri, shuma të ndryshme parash dhe 10 aparate celulare. Gjithashtu është konfiksuar një apartament me vlerë 120 000 euro, në pronësi të një shtetasi me precedent kriminal.
Ndërsa 7 operacione janë finalizuar për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve në banesa dhe në subjekte të ndryshme private dhe për vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale. Janë sekuestruar 1 kasafortë dhe shumë parash që ishin vjedhur në banesa, si dhe sende të ndryshme të përdoruara nga autorët gjatë vjedhjeve.
Gjatë muajit qershor ka pasur një vëmendje të shtuar edhe për evidentimin dhe parandalimin e krimeve mjedisore, sidomos për parandalimin e ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare, ato muzeale apo brenda vijës së verdhë në qendrat urbane.
Në të gjithë vendin janë evidentuar dhjetëra raste të ndërtimeve pa leje, të prerjes së paligjshme të pyjeve dhe të gërryerjes së lumenjve për marrjen e interteve.
Për këto raste, Policia ka sekuestruar 3 ekskavatorë, 3 kamionë dhe 8 automjete që përdoreshin për këto veprimtari të paligjshme.
Gjatë muajit qershor ka nisur operacioni i koduar “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave publike për pushesit. Gjatë fazës së parë u sekuestruan më shumë se 836 shezlong dhe çadra dhe u vunë në hetim 4 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike, duke vendosur çadrat dhe shezlong, pa lejen përkatëse.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontrolle në lokale dhe në ambiente të tjera që ofrojnë aktivitete me muzikë, në zbatim të planit të masave të hartuar për monitorimin e orarit të lejuar për vënien e muzikës, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike, që në disa raste është denoncuar në strukturat e Policisë, nga qytetarët. Për 21 raste të tilla të evidentuara janë proceduar penalisht administratorët e subjekteve dhe janë sekuestruar pajisjet që gjeneronin muzikën.
Po gjatë muajit qershor, shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë, me korrektesë dhe humanizëm, për ofrimin e ndihmës për 21 turistë nga shtete të ndryshme, të cilëve iu rrezikohej jeta në det dhe në terrene malore të thepisura, në disa qytete të vendit.
Shërbimet e Policisë Rrugore, të mirëpajisura me fjalën e fundit të teknologjisë, kanë intensifikuar monitorimin e akseve rrugore, gjatë sezonit turistik, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës.
Gjatë muajit qershor janë vënë në pranga 168 drejtues mjetesh, nga të clët 97 për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur dhe 71 për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, janë pezulluar 607 leje drejtimi, nga të cilat 429 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 114 për drejtim mjeti, në ndikimin e pijeve alkoolike dhe 64 për qarkullim në sens të kundërt me lëvizjen.
Policia Kufitare ka intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit, të bazuara në analizat e riskut, me qëllim qarkullimin e lirë dhe të sigurt të shtetasve, mallrave dhe shërbimeve, si dhe për garantimin e një sezoni turistik të sigurt dhe të qetë.
Si rezultat i funksionimit të njësisë së Policore Detare është rritur ndjeshëm siguria detare përgjatë muajit qershor, pasi falë reagimit në kohë dhe me profesionalizëm të kësaj njësie, ka një kontroll më të mirë ndaj mjeteve lundruese dhe rritje të forcës goditëse ndaj paligjshmërisë.
Në këtë kuadër, në zbatim të masave të ndërmarra për zbatimin e ligjit dhe të rregullave të lundrimit, janë kontrolluar 321 mjete të ndryshme lundruese, përgjatë gjithë vijës bregdetare të vendit.136 mjete lundruese u bllokuan pasi drejtoheshin në kundërshtim me ligjet dhe me rregullat e lundrimit.
Për drejtuesit e mjeteve lundruese të bllokuara u vendosën masat administrative nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.
Rreth 184 600 euro të padeklaruara në pikat e kalimit kufitar, u sekuestruan si rezultat i kontrolleve me shërbime të shtuara dhe me asistencën e pajisjeve të teknologjisë bashkëkohore.
Operacioni policor i koduar “Entry”, i zhvilluar mbi bazën e inteligjencës policore, çoi në pranga një shtetas që kishte fshehur në tavanin e autobusit që drejtonte, 8 paketime me 99 700 euro në total.
Gjithashtu, janë goditur: 2 raste të trafikimit të lëndëve narkotike, 49 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, 8 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufirin dhe 3 raste të trafikimit të mjeteve.
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit, në qendër dhe në qarqe, vijojnë kontrollet në terren dhe sigurimin e informacioneve, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Veçanërisht, shërbimet e Policisë do të angazhohen maksimalisht për monitorimin e përdorimit të mjeteve lundruese, për evidentimin e rasteve të ndotjes akustike, të zënies së hapësirave publike dhe të krimeve mjedisore, me qëllim garantimin e sigurisë dhe qetësisë për pushuesit.
Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet shërbimit sa më cilësor që do t’i ofrohet në pikat e kalimit kufitar, vizitorëve, turistëve dhe qytetarëve që hyjnë dhe dalin nga vendi ynë, si dhe shtimit të vigjilencës në pikat e kalimit në kufirin e gjelbër dhe në atë blu, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare që mund të zhvillohen duke përfituar nga fluksi i madh gjatë sezonit turistik.
Njëkohësisht, angazhimi dhe përkushtimi i shërbimeve policore do jetë më intensiv në drejtim të bashkëpunimit me partnerët, agjencitë ligj zbatuese brenda dhe jashtë vendit, për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe të çdo paligjshmërie tjetër, me qëllimin e vetëm sundimin e ligjit në të mirë të qytetarëve të vendit tonë, të rajonit e më gjerë.