TIRANE – Policia e Shtetit nëpërmjet një deklarate për shtyp bën me dije se ka marrë të gjitha masat e duhura për mbarëvajtjen e festave të fundvitit, veçanërisht për natën e ndërrimit të viteve.

Sipas policisë, të gjitha strukturat kanë kaluar në shërbim të përforcuar me qëllim parandalimin dhe goditjen në kohë të çdo situate kriminale, menaxhimin e fluksit të kthimit të emigrantëve në dogana, si dhe parandalimin e aksidenteve rrugore.

"Përmes këtyre masave synohet garantimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë ambientet, ku qytetarët do të festojnë festat, garantimi i sigurisë rrugore me standarde, sidomos në ato akse ku do të ketë shtim të lëvizjes së automjeteve për shkak të kthimit të emigrantëve, menaxhimi profesional dhe i shpejtë i fluksit të lëvizjes në të gjithë pikat e kalimit kufitar, si dhe garantimi i një shërbimi policor me standarde të larta",- thuhet në njoftimin e policisë.

"Në kuadër të këtyre masave, strukturat e Drejtorive të Policisë në Qarqe, po mbajnë kontakte të vazhdueshme me strukturat e tjera të angazhuara me punë gjatë festave, si organet e qeverisjes vendore, qendrat spitalore, shërbimi zjarrfikës, me qëllim realizimin e bashkëveprimit dhe bashkërendimit të masave e veprimeve policore për të garantuar shërbim të lartë e profesional ndaj qytetarëve. Drejtoritë e Policisë së Qarqeve dhe Komisariatet e Menaxhimit të Trafikut Interurban, kanë marrë të gjitha masat për sigurimin e rendit publik, lëvizjen e qarkullimin normal të automjeteve dhe këmbësorëve, parandalimin e aksidenteve rrugore, sidomos në akset që lidhen me pikat kufitare si dhe vendeve, gjatë zhvillimit të aktiviteteve me rastin e festave të fundvitit. Po kështu, nga Drejtoria e Policisë Kufitare dhe Migracionit, nisur nga shtimi i fluksit të lëvizjes së qytetarëve me rastin e festave të fundvitit, janë marrë të gjitha masat për kontrollin e kufirit shtetëror, menaxhimin e fluksit të hyrje-daljeve të shtetasve dhe automjeteve, shmangien e radhëve në kufi, kontroll sa më të shpejtë dhe me standarde, nëpërmjet shtimit të numërit të personelit dhe vendeve të kontrollit, duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shërbimin doganor", sqaron policia.

"Gjatë gjithë festimeve të fundvitit strukturat e Policisë së Shtetit, ashtu si çdo vit, do të jenë në shërbim të qytetarëve për të garantuar siguri optimale", thuhet më tej në njoftim.