Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të jenë të kujdesshëm me blerjet onlinë, pasi kohët e fundit është konstatuar një rritje e numrit të mashtrimeve të kryera nëpërmjet internetit.
Policia sqaron se çfarë duhet të bëjnë qytetarët në rast se marrin kërkesa për kryerjen e pagesave në llogari bankare të ndryshme nga ato që i kryejnë zakonisht.
"Informojmë qytetarët dhe subjektet private se nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, po merren të gjitha masat për parandalimin e rasteve të ngjashme por dhe evidentimin dhe goditjen e autorëve për rastet e ndodhura. Duke u nisur nga fakti se këto ngjarje kanë si qëllim vjedhjen e fondeve të llogarive bankare nëpërmjet mashtrimit u kërkojmë qytetarëve dhe subjekteve private, të bëjnë kujdes për sa i përket ekspozimit të të dhënave të tyre bankare në mjediset e jetës së përditshme por edhe kur marrin kërkesa të ndryshme gjatë periudhës që ndodhen duke lundruar në internet. Duhet të verifikoni paraprakisht me mjete të tjera komunikimi (telefon, faks etj.) nëse llogaria e re i përket vërtetë partnerit tuaj tregtar. Gjithashtu kujdes duhet të bëhet me dhënien e kodeve të hyrjes për llogaritë e tyre të rrjeteve sociale, postës elektronike si dhe çdo program tjetër i cili mundëson hyrjen nëpërmjet kodeve të sigurisë."





